Ministrat e Eurozonës vendosën në dyshim planet për reformat greke, ndërsa u takuan me delegacionin grek në Bruksel, vetëm disa orë pasi në Athinë u gjet një konsensus politik.
Ministri Gjerman i Financave, Wolfgang Schauble, u shpreh se plani grek nuk ka përmbushur ende të gjitha kushtet për t’u nënshkruar.
Nga ana e tij, Kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker, vlerësoi se “ka pak gjasa që një marrëveshje të firmoset ditën e sotme”.
Pavarësisht se liderat politikë në vend kanë rënë dakord me kushtet shtrënguese të paraqitura nga Brukseli, duket se Ministrat e Eurozonës janë të pakënaqur nga garancitë e pamjaftueshme që ofron pala greke për zbatimin e reformave.
Reformat, midis të cilave përfshihet ulja e mëtejshme e pensioneve, reduktimi me 20% i pagës minimale dhe shkurtimi i 15 mijë vendeve të tjera në administratë, janë të domosdoshme për të marrë një hua të re madhore, që do të lejonte vendin të shpëtonte nga falimentimi i pashmangshëm në muajin mars.
Ndërsa bisedimet e stërgjata midis Athinës dhe Brukselit do të vazhdojnë, Athina vazhdon të jetë e paralizuar nga një grevë e përgjithshme 48-orëshe e unionit të sindikatave.
Top Channel