Siri, masakër në Homs

06/02/2012 00:00

Bombardime të artilerisë së rëndë u dëgjuan në qytetin e Homs-it, pas një tjetër ofensive të ushtrisë siriane. Paul Wood, korrespondenti i BBC-se flet për shpërthime të vazhdueshme, në sulmin më të madh të këtyre 11 muajve të protestave në Siri.

Sipas aktivisteve të paktën 39 persona kanë mbetur të vrarë të hënën, shifër që rëndon mbi bilancin e masakrës që numëron 230 të vrarë në këtë qytet.

Homsi, një nga vatrat e rezistencës  kundër regjimit të Bashar Al Assad-it është në shënjestrën e ushtrisë, prej disa ditësh. Sulmi nisi agimin e së hënës dhe qindra mortaja u qëlluan gjatë ditës. Dëshmitarët okularë treguan se ushtria po përdor predhat për herë të parë. Sipas aktivisteve, disa prej tyre goditen një spital në lagjen Baba Amër, ku pati edhe viktima. Sipas, korrespondentit të BBC-se, ky lajm nuk mund të konfirmohet.

Për aktivistët e cituar nga televizioni satelitor “Al Arabija” ushtarët po kërkojnë të izolojnë qytetin nga pjesa tjetër e vendit, për të nisur më pas ofensivën e tyre. Nga ana tjetër televizioni shtetëror i Damaskut raportoi për një grup terroristësh të armatosur në lagjen Baba Amër, të cilët po qëllojnë me predha zonat e tjera të Homsit.

Bashkësia ndërkombëtare e sheh me shqetësim situatën në Siri. Nëse e përditëshmja amerikane “New York Times” thotë se Uashingtoni mund t’i japë armë rebelëve, presidenti amerikan Barack Obama nënvizoi se është e rëndësishme që konflikti të zgjidhet pa ndërhyrje të jashtme ushtarake.

Departamenti i Shtetit njoftoi për mbylljen e ambasadës amerikane në Damask dhe tërhoqi stafin e mbetur për shkak të problemeve të sigurisë. Vendet e Bashkimit Europian po vlerësojnë mundësinë e dëbimit të përfaqësuesve diplomatikë të Sirisë dhe me cdo gjasë të tërheqin ambasadorët e tyre nga Damasku.

Turqia përjashton mundësinë e një ndërhyrje ushtarake duke kritikuar në të njëjten kohë qendrimin e Kinës dhe Rusisë. Dy anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit e mbrojtën veton e tyre duke thënë se rezoluta kritikon Sirinë, një reagim që revoltoi jo pak kundërshtarët e Bashar Al Assad-it.

Top Channel