Sarkozy-Merkel, së bashku në televizion

06/02/2012 15:45

Nicolas Sarkozy dhe Angela Merkel do të parashtrojnë platformën e tyre të përbashkët për Europën, në një intervistë të shumëpritur televizive, mbrëmjen e së hënës.

Krerët e dy ekonomive më të mëdha të Europës, Francës dhe Gjermanisë, ndodhen në Paris, ku do të drejtojnë një mbledhje të përbashkët të Këshillit të Ministrave, në të cilën do të rakordohen një sërë qëndrimesh për përballimin e krizës.

Më pas, nga “Elysse”, Sarkozy dhe Merkel do të shfaqen në televizionet e të dy vendeve, në një emision ku ata do t’i përgjigjen pyetjeve të disa gazetarëve të përzgjedhur francezë dhe gjermanë.

Bashkëpunimi midis Parisit dhe Berlinit zyrtar ëshë shtrirë së fundmi edhe në shumë fusha të tjera, veç asaj të krizës ekonomike.

Më parë gjatë janarit, Merkel premtoi se do të mbështesë personalisht Sarkozy në fushatën e tij zgjedhore. President që prej vitit 2007, Sarkozy shfaqet në sondazhe pas kandidatit socialist, Francois Hollande, për zgjedhjet që do të mbahen në muajin prill.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA