Dhjetëra mijëra rusë marshuan në Moskë në një protestë kundër kryeministrit Vladimir Putin, në të njëjtën kohë që në një vendndodhje tjetër të kryeqytetit zhvillohej një manifestim proqeveritar.
Rezultati i kritikuar për manipulime i zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit vazhdon të motivojë turma të mëdha njerëzish, që kërkojnë tashmë tërheqjen e Putin nga gara për të fituar një mandate të tretë si president.
Sipas korrespondentit të BBC në Rusi, 120 mijë persona u mblodhën në Moskë pavarësisht temperaturave prej -19 gradë. Megjithatë, për policinë protestuesit ishin vetëm 23 mijë.
Nga ana tjetër, sipas forcave të rendit, ishin 90 mijë personat që manifestuan në mbështetje të Putin në perëndim të kryeqytetit, por besohet se pjesëmarrja ishte shumë më e vogël.
”Të gjithë protestuesit këtu kanë ardor me vullnetin e tyre të lirë”, deklaroi një pjesëmarrës i lëvizjes “Për Votime të Ndershme”. “Ndërsa disa prej miqve të mi, ndodhen në protestën pro regjimit, të detyruar nga pronarët që i kërcënuan me humbjen e vendit të punës”.
Në zgjedhjet e dhjetorit, “Rusia e Bashkuar” e Putin-Medvedev fitoi një shumicë prej vetëm disa deputetësh në parlament, duke dëshmuar kështu për një rënie të madhe të popullaritetit, nga 2/3 e votave që kishte mbledhur më parë.
Putin, president në periudhën 2000-08, mund të kandidojë sërisht për postin më të lartë në Kremlin, pas ndryshimeve kushtetuese që bëjnë tashmë të mundur konkurrimin për më shumë se dy mandate.
Top Channel