Islandë, kryeministri para gjyqit

05/02/2012 12:05

Ish-kryeministri i Islandës, Geir Haarde, po i ndjen pasojat e krizës financiare të 2008-tës, tanimë jo vetëm në plan moral.

Haarde do të dalë në gjyq përpara një gjykate të posaçme ku do të përballet me akuzat për neglizhencë. Tre bankat më të mëdha të shtetit-ishull falimentuan gjatë ngërçit ekonomik. Dështimi i “Icesave” preku kursimet e mijëra vetëve edhe në Britani e Hollandë, ndërsa pretendimet për kompensime akoma edhe sot kanë mbetur pa zgjidhje.

Haarde insiston se akuzat ndaj tij nuk kanë një bazë reale, por janë thjesht një formë persekutimi politik. Ai duket i bindur se gjyqi do ta shfajësojë. Pocedurat mbahen në gjykatën e Landsdomur-it, një organizëm i veçantë që merr në gjykim ministrat e kabinetit, por që deri më tani nuk i kishte hapur dyert për ndonjë çështje të tillë. Një pjesë e islandezëve e shohin procesin si farsë dhe ish-kreun e qeverisë si dashin e kurbanit, njeriun të cilit po kërkohet t’i vishet e gjithë përgjegjësia. Të tjerë argumentojnë se mbajtja e përgjegjëgisë publike është e një rëndësie kyçe pas atij që u konsiderua si kolaps financiar i të gjithë vendit.

Në vazhdën e falimentimit të tre bankave kryesore të saj, Islanda u zhyt në një recesion të thellë ekonomik dhe akuza e neglizhencës për Haarde-n mbështetet pikërisht tek fakti që ai nuk kishte siguruar instrumentat e nevojshëm mbrojtës.

Ish-kryeministri mbrohet duke thënë se bëri atë që mendoi se ishte më e mirë për vendin. Asokohe ai pat akuzuar qeverinë britanike si shkaktare të kolapsit të njërës prej bankave, pasi departamenti i thesarit ngriu asetet e të gjithë institucioneve islandeze në Mbretërinë e Bashkuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA