OKB, dështon rezoluta për Sirinë

04/02/2012 00:00

Rezoluta e vendeve të Ligës Arabe për Sirinë, e mbështetur fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore, ashtu sic ishte paralajmëruar, mori veton në Këshillin e Sigurimit nga Rusia dhe Kina.

Dy anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit bllokuan rezolutën, pavarësisht sulmeve të fundit të autoriteteve siriane mbi civilët në qytetin e Homsit, ku të paktën 217 persona raportohen të vdekur.

Presidenti amerikan, Barack Obama, në një deklaratë para votimit të rezolutës e cilësoi sulmin në Homs si një sulm që të lë pa fjalë dhe që tregon qartë brutalitetin e Assad ndaj popullit sirian.

Më herët Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov kritikoi rezolutën e propozuar nga vendet arabe duke deklaruar se objekt i saj ishte dënimi i qeverisë së presidentit Bashar al Assad duke lënë “të pafajshëm”, sipas tij, forcat e armatosura të opozitës.

Lavrov pritet të vizitojë Damaskun ditën e martë, bashkë me kreun e shërbimeve sekrete ruse, Mikhail Fradkov.

Ndërkohë, Tunizia është ndër vendet e para, anëtare e Ligës Arabe që ka reaguar ndaj dhunës së fundit në Siri.

Tunizi zyrtar ka shpallur “non grata” ambasadorin sirian si shenjë proteste ndaj dhunës së autoriteteve dhe bombardimit në qytetin e Homsit ku gjetën vdekje të paktën 217 persona.

Zëdhënësi i presidentit tunizian, njoftoi se përfaqësuesit diplomatik sirian i është dhënë një afat i shkurtër kohor për të lënë Tunizinë.

Përjashtimi erdhi pas bombardimit dhe presionit të shoqërisë tuniziane ndaj autoriteteve për një qendrim të të ashpër ndaj Sirisë. Vendi afrikano-verior ishte i pari që u përfshi nga ajo që do të quhej më vonë “Pranvera arabe”, kur populli u ngrit kundër presidentit Ben Ali, vitin e kaluar.

Lumë kritikash ndaj Rusisë dhe Kinës

Shtetet e Bashkuara, vendet e Europës Perëndimore dhe ato të Ligës Arabe dënuan qendrimin bllokues të Rusisë dhe Kinës për rezolutën ndaj Sirisë.

Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague deklaroi se qendrimi i Rusisë dhe Kinës “lë në baltë popullin sirian dhe inkurajon regjimine  Bashar al Assad të vrasë edhe më tej”. Ndërkohë, ambasadorja amerikane në OKB, Condolesa Rice e quajti qendrimin e Rusisë dhe të Kinës “të turpshëm, që shet jetët e popullit sirian dhe mbron tiranin Assad”.

Edhe ambasadori francez në OKB dënoi qendrimin e Moskës dhe të Pekinit duke deklaruar se “dita e sotme është një ditë e trishtueshme për Këshillin, për popullin sirian, për të gjithë demokracinë. Kritika mbërritën edhe nga përfaqësuesi maroken në Këshillin e Sigurimit, i vetmi vend anëtar i Ligës Arabe që ka turnin e pjesëmarrjes në këshillin 15 anëtarësh të OKB-së. “Një zhgënjim i madh. Më vjen keq për këtë qendrim të Moskës dhe Pekinit”, deklaroi Mohamed Loulichki.

Rezoluta e Ligës Arabe megjithëse mori mbështetjen e 13 nga 15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit, nuk mundi të kalojë, pasi Rusia dhe Kina shfrytëzuan të drejtën e vetos për të bllokuar atë.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA