Kriza, Merkel merr mbështetje nga Kina

04/02/2012 00:00

Me një vizitë në Guangdong është mbyllur vizita e kancelares gjermane
Angela Merkel në Kinë, në qendër të së cilës ishte cështja e krizës
ekonomike.

Ky ishte misioni i pestë zyrtar i Merkel në vendin e dragonjve dhe në takimin me kryeministrin Wen Jiabao ajo ka kërkuar ndihmë për nxjerrjen e Evropës nga kriza.

Nga ana e tij, Jiabao ka nënvizuar se Kina po vlerëson mundësinë për një pjesëmarrje më të fortë në Fondin Evropian Financiar të Stabilitetit.

Ndërkohë, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të bëjë më shumë për të stimuluar rritjen ekonomike kundër krizës.

“Ne mbetemi besimplotë në faktin se Evropa i ka mjetet dhe vullnetin e duhur jo vetëm për të reduktuar borxhin dhe për të ngritur murin e zjarrit, por edhe për të nxitur rritjen, likuiditetin dhe për të rivendosur besimin në tregje”, ka deklaruar Clinton.

Nga Mynihu, ku po merr pjesë në Konferencën mbi Sigurinë Ndërkombëtare, shefja e diplomacisë amerikane ka theksuar se Evropa mbetet partneri kryesor tregtar i Shteteve të Bashkuara.

Gjatë vizitës në Kinë, përvec cështjes së euros Merkel preku edhe atë të Iranit, duke shprehur vendosmërinë e saj për të mos lejuar krijimin e një fuqie të re bërthamore.

Për të arritur këtë synim, ajo i kërkoi autoriteteve kineze që të përdorin influencën e tyre ndaj Teheranit dhe të bashkohen me sanksionet e shpallura më parë nga SHBA dhe BE.

Top Channel