Ekonomia, Obama paralajmëron Kongresin

04/02/2012 10:00

Presidenti amerikan Barack Obama sfidoi Kongresin për të ruajtur rimëkëmbjen ekonomike në një kohë kur të dhënat treguan se papunësia në SHBA ndodhej në nivelin më të ulët në tre vjet.

Kuota e papunësisë ra në 8.3 për qind, duke mundur kështu parashikimet e analistëve, dhe duke pësuar një ulje nga 8.5 për qind që ishte në dhjetor.

Duke folur në një kazermë zjarrfikësish në Virxhinia, presidenti paralajmëroi Kongresin: “Mos e ngadalësoni rimëkëmbjen që ka filluar”.

Një raport i Departamentit të Punës tregonte se 243 mijë vende të reja pune janë krijuar në janar, shifra më e lartë në tre muajt e fundit.

Shifrat në fjalë përbëjnë një hap të rëndësishëm përpara për presidentin Obama, rizgjedhja e të cilit varet sidomos tek situata ekonomike.

“Tani, këto shifra do të rriten dhe ulen në muajt e ardhshëm dhe ekziston frika se ka ende shumë amerikanë që kanë nevojë për punë, ose për një punë që t’i paguajë më mirë nga ajo ku janë tani”, u shpreh Obama.

“Por ekonomia po rritet dhe po bëhet më efortë. Ripërtëritja e saj po shpejtohet dhe ne duhet të bëjmë gjithcka që kemi në dorë që ajo të vazhdojë kështu”, vijoi ai.

“Unë dua t’i drejtoj një mesazh të qartë Kongresit. Mos e ngadalësoni rimëkëmbjen që ka nisur, mos e prishni atë”, theksoi Obama.

Presidenti gjithashtu u bëri thirrje kongresmenëve republikanë që të kalojnë ligjin për zgjatjen e periudhës së heqjes së taksës mbi pagën për 160 milionë amerikanë brenda fundit të vitit.

Lidershipi republikan u informua për përmirësimin e situatës së tregut të punës, ndërkohë që deklaroi se mund të ishte bërë edhe më shumë për të përmirësuar gjendjen ekonomike të vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA