
Numri i civilëve të vrarë dhe të plagosur në konfliktin e armatosur në
Afganistan është rritur për të pestin vit rresht, tregon një raport i
Kombeve të Bashkuara.
Misioni i Asistencës së OKB-së në Afganistan, UNAMA, ka dokumentuar 3.021 vdekje në radhët e civilëve gjatë vitit 2011, më shumë se 2.790 në vitin 2010 dhe se 2.412 në 2009.
Shumica e vdekjeve janë shkaktuar nga rebelët, thotë raporti, në të cilin nënvizohet se bombat artizanale po përdoren gjithnjë e më gjerë, ndërsa atentatet vetëvrasëse po sjellin më shumë vdekje.
Në raport thuhet edhe se vdekjet e civilëve nga sulmet ajrore të aleatëve të qeverisë afgane u rritën gjithashtu në vitin 2011.
“Fëmijë, gra dhe burra afganë vazhdojnë të vriten në këtë luftë me një numër, rritja e të cilit nuk njeh frenim”, ka deklaruar Jan Kubis, i dërguari i posacëm i Ban Ki Moon.
“Prej shumë kohësh civilët afganë kanë paguar cmimin e lartë të luftës. Palët në këtë konflikt duhet të shtojnë përpjekjet e tyre për të parandaluar një tjetër rritje të vdekjeve të civilëve gjatë vitit 2012”, ka shtuar Kubis.
Raporti i vitit 2011 për mbrojtjen e civilëve në konflitet e armatsorua thotë më tej se në total 11.864 civilë kanë vdekur që prej vitit 2007.
Në vitin që sapo lamë pas, elementë qeveritarë u fajësuan për vdekjen e 2.332 civilëve, ose 77 për qind të viktimave të pafajshme, 14 për qind më shumë se në vitin 2010.
Raporti saktëson më tej se ka pasur 410 civilë të vrarë (14%) nga operacionet e forcave pro-qeveritare, një rënie prej 4 për qind krahasuar me vitin 2010.
Ndërsa 279 civilë të tjerë të vrarë nuk mund t’i atribuohen asnjërës prej palëve të përfshira në konflikt, nënvizon më tej raporti i Kombeve të Bashkuara.
Top Channel