Siria, OKB dakord për rezolutën

03/02/2012 19:10

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka arritur të bjerë dakord mbi një version përfundimtar të projekt/rezolutës arabo-perëndimore që dënon represionin e regjimit të Bashar al Assad në Siri.

Teksti i dokumentit është kthyer tashmë “në blu”, që do të thotë se do të kalojë për votim brenda 48 orëve të ardhshme. Aktualisht, ai po shqyrtohet nga vendet anëtare, të përhershme dhe të përkohshme.

Deri më tani, Rusia, që në këshillin e Sigurimit gëzon të drejtën e vetos, ka paralajmëruar se do të kundërshtojë cdo rezolutë të propozuar nga Liga Arabe.

Ndërkohë, epiqendra të shumta revoltash anti-regjim janë regjistruar gjatë së premtes në Siri, që është edhe dita e lutjeve tradicionale islamike.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, manifestime janë regjistruar në Damask, Homs, Hama, Dara dhe pothuajse në të gjitha periferitë e kryeqytetit, që prej muajsh janë kthyer në sheshe përleshjesh mes qytetarëve dhe forcave të sigurisë.

Aktivistët e grupeve për të drejtat e njeriut deklarojnë ndërkohë se gjatë ditës së sotme janë vrarë të paktën 10 civilë sirianë nga forcat besnike të presidentit Assad.

Dita e sotme përkon edhe me përvjetorin e ngjarjeve tragjike të 30 vjetëve më parë, ku mijëra vetë humbën jetën nga të shtënat e armëve të regjimit ushtarak në Hama, në qendër të vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA