Mburoja anti-raketë e Shteteve të Bashkuara në Evropë është kundër Rusisë. Kështu ka ritheksuar kryeministri rus Vladimir Putin.
Deklaratën e tij, ai e ka bërë në një dokumentar të titulluar “Politika e Ftohtë”, të transmetuar të enjten nga televizioni publik rus, në sfond të fushatës elektorale.
“Sot nuk ka asnjë kërcënim që vjen nga Irani apo Koreja e Veriut. Aktualisht mburoja anti-raketë synon pa asnjë dyshim neutralizimin e potencialit bërthamor rus”, ka deklaruar Putin.
Që kur ishte president, Putin kundërshtonte fuqishëm projektin e nisur nga administrata Bush, pasardhësi i të cilit është i vendosur ta përfundojë.
Tensionet lidhur me këtë cështje u sheshuan disi me ardhjen në krye të shtetit të Dmitry Medvedev, por tani që Putin ka gjasa të rikthehet në krye të Kremlinit, ato janë ndezur sërish.
Ndërkohë, javën e kaluar edhe Britania e Madhe njoftoi ngritjen e një sistemi të tillë, të quajtur “Sea Ceptor”, në gjendje të lokalizojë raketa supersonike.
Ministria britanike e Mbrojtjes njoftoi se kupola mbrojtëse do të kushtojë rreth 483 milionë stërlina dhe se i gjithë projekti do të krijojë 500 vende pune.
Raketat që do të lokalizojnë raketat armike të lëshuara drejt anijeve do të arrijnë shpejtësinë “Mach 3” dhe do të jenë të montuara tek fregatat e flotës.
Top Channel