Falimenton “MALEV”-i

03/02/2012 09:55

Kompania ajrore hungareze, “MALEV”, pushtoi të gjitha fluturimet ditën e premte për shkak të vështirësive financiare.

Pjesë e aleancës që përfshin gjigantët “Air France” dhe “British Airways”, Malev është një linjë e njohur në Shqipëri si një ndër më të hershmet që kanë operuar në vendin tonë dhe që kanë lidhur Tiranën në mënyrë të përditshme me destinacione të shumta europiane përmes Budapestit.

Nëpërmjet një komunikate, kompania informoi se të gjitha veprimet do të ndërpriten duke nisur nga ora gjashtë e mëngjesit, ndërsa është kërkuar shpallja e falimentimit.

Nuk është ende e qartë se si do të veprohet me disa mijëra pasagjerë që presin të udhëtojnë gjatë ditës dhe në ditët në vazhdim.

Një kompani e themeluar në vitin 1946 dhe e konsideruar si “krenaria” e Hungarisë, “MALEV” ka akumuluar borxhe prej 60 miliardë forintash, një total prej 270 milion dollarësh dhe shpallja e falimentimit u bë i pashmangshëm, pasi qeveria e përfshirë në vështirësi financiare më parë gjatë javës të ndërpriste subvencionet e saj për kompaninë.

“Ndonëse u përpoqëm të bënim më të mirën, me hidhërim duhet të deklarojmë ndërprerjen e të gjitha shërbimeve tona duke nisur nga data 3 shkurt”, deklaroi shefi ekzekutiv i kompanisë, Lorant Limburger.

“I përballur me një situatë të vështirë ekonomike, bordi drejtues urdhëroi sot përfundimin e operacioneve. i ofrojmë ndjesën më të thellë të gjithë pasagjerëve tanë”.

Lajmi për falimentimin e “MALEV”-it vjen disa ditë pasi kompania spanjolle “Spanair” shpalli gjithashtu përfundimin e operacioneve, pas ndërprerjes së subvencioneve qeveritare, për shkak të krizës ekonomike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA