Egjipt, rrëmbehen dy amerikane

03/02/2012 14:00

Dy turiste amerikane u rrëmbyen në krahinën e Sinait, në Egjipt, konfirmuan burime zyrtare të Kajros të premten.

Gratë ishin duke udhëtuar me një autobus të vogël së bashku me tre turistë të tjerë për të vizituar një manastir në një krahinë malore, pranë resortit të Sharm el-Sheikut, kur u ndaluan nga persona të armatosur.

Banditët morën prej mjetit vetëm dy shtetaset amerikane dhe bënë të qartë se duan shpërblim për t’i lënë ato të lira.

Më parë gjatë javës, 25 punëtorë kinezë u rrëmbyen nga fiset tribale të beduinëve, por u liruan disa orë më pas, si rrjedhojë e presionit të fortë të autoriteteve kineze dhe egjiptiane.

Në rastin e tyre, kërkesa e parashtruar nga beduinët ishte lënia e lirë e disa militantëve, të burgosur për një sulm terrorist që vrau 31 persona, shumica turistë, në vitin 2004.

Pengmarrja vjen ndërsa në Egjipt është rikthyer dhuna dhe protestat masive, të provokuara nga përleshjet në stadiumin e qytetit të Port Saidit, ku humbën jetën 80 persona.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA