Ministri britanik i Energjisë, Chris Huhne ka njoftuar se ka dhënë dorëheqjen nga detyra pas inkriminimit për një gjobë për tejkalim shpejtësie, fajin për të cilën e kishte marrë ish-bashkëshortja.
Huhne është deklaruar i pafajshëm dhe ka njoftuar se do të mbrohet me përfaqësuesin e tij ligjor në gjykatë, bëjnë të ditur mediat britanike.
Ish-ministri akuzohet se i ka atribuar në mënyrë të rremë fajin bashkëshortes së atëhershme, Vikcy Price, një gjobë për tejkalim shpejtësie.
Mediat e Mbretërisë së Bashkuar njoftojnë më tej se ngjarja në fjalë ka ndodhur në vitin 2003 dhe është zbuluar vetëm pas divorcit të ciftit.
Nuk është hera e parë që një zyrtar britanik jep dorëheqjen për shkak të një skandali, edhe pse të përmasave fare të vogla.
Faktikisht, Huhn është ministri i tretë nga radhët e liberal-demokratëve që dorëhiqet që prej krijimit të kabinetit të David Cameron në vitin 2010.
Gjithashtu, vitin e kaluar një deputet dha dorëheqjen pasi u zbulua se kishte abuzuar me një shumë parash prej 15 mijë stërlinash, duke përfituar nga posti që gëzonte.
Top Channel