“Tani jam tërhequr, edhe në partinë time”. Me këto fjalë ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi ka konfirmuar se nuk ka ndërmend të rikandidojë për postin e kryeministrit.
Megjithatë, në një intervistë për “Financial Times”, Berlusconi ka thënë se në sondazhe është më popullor se kancelarja Angela Merkel apo presidenti francez Nicolas Sarkozy.
Gjatë intervistës, ish-kryeministri ka bërë të ditur se ka ndërmend të mbetet një figurë me influencë prapa skenave, duke qenë “baballari themelues” i partisë.
Ndërsa për më vonë, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë për të rikandiduar në Parlament, duke theksuar se është politikani më i preferuar në sondazhe.
Më tej Berlusconi ka folur edhe për jetën e tij jashtë politikës, duke thënë se edhe pse i tërhequr vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes.
“Nëse dal në rrugë bllokoj trafikun. Jam një rrezik publik, nuk mund të dal për të bërë pazar”, është shprehur ish-kreu i Këshillit të Ministrave, ndër më jetëgjatët në Itali.
Berlusconi dha dorëheqjen nga ky post për shkak të krizës financiare që përfshiu Italinë vitin e kaluar, duke ia lënë vendin ekonomistit Mario Monti.
Ai ka qenë kryeministër në fillim të viteve ’90, por vetëm për pak kohë, nga viti 2001 deri në 2006 dhe sërish nga viti 2008 deri nga fundi i vitit të kaluar.
Top Channel