“Anonymous” përgjon FBI-në

03/02/2012 00:00

Grupi i hacker-ave i vetëquajtur “Anonymous”, publikuan në internet një bisedë të realizuar ndërmjet FBI-së dhe autoriteteve britanike të luftës kundër krimeve kompjuterike, ku këta të fundit diskutojnë mbi bashkërendimin e punës për të luftuar piratërine online.

Biseda është realizuar nëpërmjet video-konference dhe mendohet se është kryer në muajin janar. “Anonymous” publikuan gjithashtu një e-mail, të vjedhur sipas shumë mundësive nga FBI ku ishin të gjitha adresat e postës elektronike të personave pjesëmarrës në video-konferencë.

FBI konfirmoi se video është realizuar mes saj dhe autoriteteve britanike dhe se është vënë në ndjekje të autorëve.

“Informacioni i shkëmbyer gjatë asaj video-konference ishte posacërisht për oficerët ligjorë dhe është përgjuar në mënyrë të paligjshme. Mbi ngjarjen në fjalë ka nisur një hetim për të vendosur para ligjit autorët e saj”, thuhet në një komunikatë të FBI-së.

Ndërkohë edhe njësia “E-Unit” në Londër, e specializuar për krimet kompjuterike deklaroi se për cështjen në fjalë ka nisur një hetim, por se nuk ka ende pista apo persona konkretë të dyshuar.

Top Channel

BIG BROTHER BIG BROTHER - Portokalli - AG SHOW - Bileta