
Gjykata Supreme e Pakistanit do të akuzojë kryeministrin Yousouf Raza
Gilani se ka dështuar në rihapjen e cështjeve të korrupsionit kundër
presidentit të vendit.
Gjykata urdhëroi zotin Gilani të shfaqet përpara saj më 13 shkurt. Nëse dënohet ai mund të përballet me 6 muaj burg dhe do të largohet nga detyra.
Qeveria ka refuzuar ndërkohë përndjekjen e presidentit Asif Ali Zardari, duke thënë se ka imunitet duke qenë në pozicionin e kryetarit të shtetit.
Zoti Zardari ka kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj tij për korrupsion duke deklaruar se ato janë të motivuara politikisht nga kundërshtarët e tij.
Korrespondentja e BBC në Islamabad deklaron se vendimi i Gjykatës Supreme është një tjetër gërshetim në një cështje që mund të rrëzojë kryeministrin dhe qeverinë e tij.
Cështja vjen në një kohë kur pasiguritë politike janë shtuar, me qeverinë që po përplaset me kokëfortësi me ushtrinë e plotëfuqishme dhe sistemin gjyqësor.
Pakistani ka kaluar tre grushte shteti të organizuar nga ushtria që nga pavarësia në vitin 1947, por analistët besojnë se ushtria ka pak interesa për një grusht në këto momente.
Top Channel