Kreu i emergjencave civile deklaroi gjatë një prononcimi publik rreth orës 14.00 të së enjtes se janë zhbllokuar të gjitha akset nacionale të cilat ishin mbuluar më parë nga dëbora si pasojë e rreshjeve të dendura një natë më parë.
Sipas Alfred Ollit, pjesa më e madhe e tyre kalohet me vështirësi dhe detyrimisht automjetet duhet të përdorin zinxhir.
Kreu i emergjencave civile në vend pranoi faktin e bllokimit të një pjese të madhe të komunave në veri të vendit si edhe pezullimin e aktiviteve arsimore në këto zona.
Pavaresisht motit të keq, Olli u shpreh se nuk ka patur asnjë emergjencë mjekësore apo ushqimore: “Deri tani nuk kemi patur raste të kërkesave të urgjencës mjekësore apo ushqimore. Ne kemi stokun e nevojshëm ushqimor e të ilaçeve, por deri tani nuk ka lindur nevoja për të dërguar ndihma urgjente, edhe për shkak të kulturës së banorëve që jetojnë në zonat që bllokohen tradicionalisht e që kanë marrë paraprakisht masat e tyre”.
Sipas Ollit, “kjo situatë do të kalojë shumë shpejt, ndonëse edhe për dy ditët e ardhshme parashikohet një situatë e keqe meteorologjike”.
Nga 35 komuna te bllokuara në vend, 18 prej tyre ndodhen në qarkun e Korçës dhe të Gjirokastrës.
Top Channel