Kandidati Republikan, Mit Romney shpreson një “fitore të madhe” ndaj kundërshtarit më të afërt, Njut Gingric në zgjedhjet paraprake që po zhvillohen në Florida.
Një sondazh e tregon atë kryesues me një diference prej 13 pikësh nga rivali i tij. Kjo ishte shenja që i shtoi besimin dhe për këtë ai anulloi një takim elektoral, i caktuar, mëngjesin e së martës.
Ndërsa Gingric, ish-kreu i Dhomës së Përfaqësuesve i shqetësuar u shfaq në intervista, në televizionet lokale si dhe ndaloi në disa qëndra votimi në Orlando.
Për analistët, sigurisht që një fitore e Romneyt nuk do ta ndalojë kandidaturën e Gingric, por ish-guvernatorit të Masacusets do t’i japë një hov të pandalshëm. Beteja mes të dyve është shndërruar në personale.
Sa i takon dy kundërshtarëve të tjerë, kongresmenit Ron Pol dhe ish-senatorit të Pensilvanisë, Rik Santorum, ata braktisën Floridën për të bërë fushatë në shtete të tjerë.
64 vjecari Romney ka hedhur mbi 14 milionë dollarë në reklama televizive në Florida duke kritikuar Gingric, stafi i të cilit, si kundërpërgjigje mund të shpenzojë vetëm 3 milionë dollarë.
Për Romnin kundërshtari është plotësisht i coroditur, ndërsa sipas Gingric, ish-guvernatori i Masacusets s’po bën gjë tjetër vecse po blen udhëtimin për në Shtëpinë e Bardhë.
Qendrat e votimit u hapën në orën 7.00 dhe do të mbyllen në orën 7 të pasdites me orën lokale, ose pas orës 12 me orën tonë. Shteti i lëkundur, Florida e diellit konsiderohet si një gur-themeli i rëndësishëm për zgjedhjet e nëntorit.
Fituesi i Floridës do të marrë 50 delegatë nga 1144 të nevojshëm për të fituar kandidimin në Konventën e Partisë Republikane të parashikuar në muajin Gusht.
Ndalesa e ardhshme e garës elektorale republikane do të jetë ajo e Nevadës, të shtunen, të cilën në 2008-ën, Romni e fitoi lehtësisht.
Top Channel