Londër, terroristët pranojnë akuzat

01/02/2012 20:05

Katër militantë të frymëzuar nga Al-Kaeda pranuan se po planifikonin vendosjen e bombave në disa pika nevralgjike të Londrës, përfshi selinë e bursës e disa pika postare.

Mohammed Chowdhury, Shah Rahman, Gurukanth Desai dhe Abdul Miah pranuan të mërkurën akuzat për përgatitjen e sulmeve terroriste, përpara një gjykate britanike.

Ekstremistët, me banim në Londër dhe Kardif, u arrestuan në dhjetor 2010 në kuadrin e një operacioni të gjerë anti-terrorizëm. Pesë persona të tjerë kanë pranuar fajësinë për akuza të tjera terrorizmi, ndërsa nëntë më shumë përballen me gjykatën javën e ardhshme.

Muslimanët, të gjithë mbajtës të pasaportave britanike, pranuan se ishin frymëzuar nga fjalimet e ekstremistit radikal Anwar al-Awlaki, antar i Al-Kaedës, i vrarë përpara pak kohësh.

Ata ishin nën survejimin e shërbimeve sekrete që prej vitit 2008, ndërsa arrestimi i tyre u krye në bazë të informatave gjithmonë e më shqetësuese për afrimin e sulmit.

Në vitin 2010, dy prej të arrestuarve patën një takim të përgjuar me përfaqësues të lartë të terrorizmit botëror, në të cilën u fol për vendosjen e bombave në selinë e bursës dhe pika të ndryshme postare në Londër.

Për të ngjallur sa më pak dyshime, lënda shpërthyese do të fshihej në kukulla për fëmijë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA