Epilepsia, një sëmundje që godet dhjetëra fëmijë çdo vit në vendin tonë, është një prej shkaktareve kryesore të problemeve të aftësisë së kufizuar.
Por, çfarë është në vetvete epilepsia dhe si mund të kurohet ajo? Mjekja specialiste e spitalit “Hygea”, Androniki Plomaritoglou shpjegoi në emisionin e “Pasdites”: “Epilepsia është një sëmundje që karakterizohet nga kriza të përsëritura të mosfunksionimit të një pjese të trurit. Zakonisht, shkaqet e krizave janë të panjohura”.
Duke u përqëndruar në simptomat, specialisja tregoi se “simptomat brenda një pacienti janë të përsëritura. Pacienti mund të humbasë ndienjat ose të ketë konvulsione, të cilat mund të jenë në duar ose në këmbë, pa shkaktuar humbje të ndërgjegjes. Sigurisht, mund të ketë edhe pasoja të tjera, por ato janë të lidhura me zonën e trurit që është prekur. Megjithatë, një krizë epileptike nuk vërteton qartësisht epilepsinë”.
Në mënyrë që të verifikohet ose jo prezenca e asaj që në popull njihet si “sëmundja e tokës”, duhet të realizohen disa ekzaminime dhe analiza të ndryshme. “Gjëja më e rëndësishme është të bëhet diagnostikimi i saktë nëse personi ka ose jo epilepsi. Nëse ka rrezik që pacienti gjatë krizave të rrëzohet e të vritet, është e domosdoshme që të jepen ilaçe që të jenë në gjendje të kontrollojnë krizat. Në rast se mjekimet janë dhënë pa qenë i prekur nga epilepsia, atëherë do të thotë se është bërë një punë kot. Gjëja e parë që duhet bërë janë analizat e gjakut, në mënyrë që të eliminohet shkaku patologjik”.
Duke u përqendruar më hollësisht në mënrën e diagnostikimit, specialiste greke shtoi: “Duhet një kontroll i zemrës, për të eliminuar shkakun e aritmisë, që mund të krijojë simptoma të ngjashme, shoqëruar nga një rezonancë magnetike e plotë e kokës, për të parë mirëfunksionimin e venave apo prezencën e ndonjë tumori. Domosdoshmërisht duhet bërë një elektroencefalogramë”.
Ndërsa vite, trajtimi i epilepsisë ka ndryshuar në formë dhe në mjekime. “Qëllimi kryesor për të prekurit është eliminimi i krizave. Kjo arrihet fillimisht nëpërmjet mjekimeve. Sot janë në dispozicion më shumë se 20 lloje ilaçesh të ndryshme. Medikamentet e brezit të dytë përdoren, ato më të rejat, përdoren në doza më të ulta se mjekimet e tjera. Gjithashtu, ilaçet mund të kombinohen për të sjellë rezultate më të efektshme, sepse nëse një pacient nuk i përgjgijet një ilaçi, atëherë ka nevojë për kombinimin e disa prej tyre. Megjithatë, pacientë në fazë më të avancuar të sëmundjes nuk reagojnë ndaj asnjë forme mjekimi, duke bërë të detyrueshme ndërhyrjen kirurgjikale”, u shpreh Plomaritoglou.
Megjithatë, nëse një pacient për arsye të ndryshme nuk mund t’i nënshtrohet ndërhyrjes, atëherë ka edhe një zgjidhje tjetër, që është vendosja e një aparature në lëkurë, në gjendje për të reduktuar me 30% shpeshtësinë e krizave.
Gjithashtu, ka disa aparatura të tjera që vendosen në kokë dhe janë në gjendje të konstatojnë krizat epileptike, duke ulur shpeshtësinë e sëmundjes me 60%. Megjithatë, këto teknika, ndonëse të suksesshme, janë ende në fazë eksperimentale dhe jo gjerësisht të përhapura.
Një problem i madh i epilepsisë është për gratë që presin një fëmijë dhe janë të prekur nga kjo sëmundje. “Ato gra që vuajnë nga epilepsia, nuk kanë probleme në mbetjen shtatzanë dhe lindjen e fëmijëve, por u duhet të bëjnë një programim të hollësishëm të shtatzanisë. Është shumë e rëndësishme të përcaktohet se kurrë do të mbajnë barrën, pasi shpeshtësia e krizave nuk mund të parashikohet me lehtësi dhe sepse tre muaj përpara mbetjes shtatzanë, nëna duhet të trajtohet me acid folik, për të shmangur mundësinë e transmetimit të ndonjë problem gjenetik tek fëmija”, shpjegoi specialistja greke.
“Një krizë epileptike gjatë shtatzanisë mund të krijojë probleme në mitrën e nënës, duke ndërprerë ushqimin me oksigjen të fetusit. Për këtë arsye, nëna shtatzanë duhet të vazhdojnë të marrë mjekime shtesë, në të njëjtën kohë që është po kaq e rëndësishme që mjekimet të përzgjidhen saktë, për shkak të përqindjes të rrezikut të lindjes së fëmijëve me anomali të ndryshme. Ndaj të gjithë shtatzanisë është e rëndësishme që nëna të mbetet në kontakt me specialistin”, shtoi ajo.
Në intervistën e saj për emisionin e “Pasdites”, specialistja tregoi edhe për mënyrën se si kurohen epileptikët në spitalin “Hygeia”. “Kur një pacient epileptik drejtohet në spitalin tonë, në fillim bëjmë një vizitë neurologjike, shoqëruar me disa analiza të tjera si niveli i medikamenteve në gjak, rezonancë manjetike, elektroencefalogramë dhe të gjitha këto realizohen brenda 24 orëve. Pas këtyre analizave, pacientit i jepet një terapi mjekimesh dhe pasi janë ndjekur këto procedura, është e domosdoshme ndjekja e pacientit në spitalin tonë, edhe kur mjeku është larguar. Kjo bëhet e mundur falë konsultave dhe vizitave online, që realizojmë me kolegët tanë në Athinë”.
Top Channel