Rusia sulmon OKB-në për Sirinë

31/01/2012 15:35

Nisma perëndimore-arabe për të vendosur paqen në Siri rrezikon të shtyjë vendin drejt luftës civile, paralajmëroi Zvs/Ministri i Jashtëm, Gennady Gatilov.

””Propozimet e bëra në OKB nuk do të çojnë në arritjen e një kompromisi dhe as në zgjidhjen e situatës. Ato vetëm sa do të përkeqësojnë krizën politike dhe humanitare në vend. Për këtë arsye, Rusia do të përdorë të drejtën e saj të vetos kundër”, theksoi Gatilov.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Franca po lobojnë në këshillimin e sigurimit pas një kërkese të Ligës Arabe, që vendos si kusht largimin e presidentit Bashar al-Assad, për zgjidhjen e krizës siriane.

Rezoluta parashikon disa sanksione ekonomike, por një qëndrim i tillë konsiderohet nga Moska si një ndërhyrje e qartë në punët e brendshme të një shteti dhe rezoluta shihet si e ngjashme me atë të aprovuar kundër Libisë, që më pas u përdor si një preteks për një ndërhyrje ushtarake në vend.

Vendimet diplomatike pasojnë dy ditë jashtëzakonisht të përgjakshme në Siri, me 60 të vrarë të dielën dhe mbi 100 të hënën, ndërsa ushtria lëshoi një operacion madhor, për vendosjen nën kontroll të disa lagjeve rebele në periferinë e kryeqytetit Damask.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, mbi 5 500 persona kanë humbur jetën në vend që prej fillimit të revoltave në mars 2011, por shifrat mund të jenë edhe më të larta, për shkak të pamundësisë për të verifikuar të dhënat, si pasojë e moslejimit të reporterëve të huaj në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA