Gjykata e Lartë e Rumanisë dënoi me dy vjet burg, me akuzën e korrupsionit, ish-kryeministrin Adrian Nastase duke shënuar kështu ndëshkimin e parë të një politikani të lartë në vend.
Vendimi erdhi pas 1000 ditësh dhe rrëfimit të mbi 900 dëshmitarëve. 61-vjecari, anëtar i Partisë Socialdemokrate, së bashku me pesë zyrtarë të tjerë akuzohen për pjesëmarrje në evenimente të paligjshme, gjatë të cilave kanë grumbulluar para për fushatën e tij të dështuar për president në vitin 2004.
Bëhet fjalë për 2 milionë dollarë fonde publike. Nastase ka mohuar akuzat duke thënë se cështja është e motivuar politikisht.
Adrian Nastase mbajti postin e kryeministrit të Rumanisë nga viti 2000-2004 dhe mbetet një prej figurave qendrore të Partisë Socialdemokrate në opozitë.
Ai është ish-kryeministri i parë në Rumani që dënohet me burg, që prej rënies së komunizmit në vitin 1989. Bashkimi Europian i kishte përseritur thirrjet për luftë ndaj korrpsionit. Rumania u anëtarësua në BE në vitin 2007.
Top Channel