Kina rrit masat e sigurisë në Tibet

31/01/2012 09:45

Një zyrtar i lartë kinez ka urdhëruar përforcimin e masave të sigurisë në manastiret budiste të Tibetit dhe në rrugët kryesore të tij, pas disa protestave të shoqëruara me viktima në provincën e Sicuanit.

Sekretari i Partisë Komuniste, Ki Zhala paralajmëroi gjithashtu një ofensivë kundër atyre që sipas tij ishin përfshirë në akte “separatiste, destruktive dhe kriminale”.

Lëvizja e autoriteteve vjen pasi protestuesit u përleshën me forcat e sigurisë në disa zona të provincës së Sicuanit javën e kaluar, ku të paktën tre persona humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën.

Zonat në kufi me provincën e Sicuanit, mes të cilave është edhe Tibeti, kanë prani të gjerë të komuniteteve tibetiane.

Zyrtari kinez i ka bërë thirrje policisë që të rrisë masat e sigurisë pranë manastireve, me qëllim që të parandalohen protesta të ngjashme në të ardhmen.

“Ne duhet të godasim fortë të gjitha aktivitetet separatiste, destruktive dhe kriminale të murgjve dhe të përpiqemi të arrijmë qëllimin tonë për të mos lejuar asnjë incident, qoftë i madh apo i vogël”, ka thënë Ki Zhala në një deklaratë.

Në deklaratën në fjalë, të publikuar në faqen e internetit të qeverisë, zyrtari i është referuar në vecanti figurës së Dalai Lamës.

Korrespondenti i BBC, Martin Patience deklaron se këto komente të zyrtarit tregojnë shqetësimin në rritje të Pekinit zyrtar se protestat mund të përhapen më gjerë.

Edhe vëzhguesit ndërkombëtarë deklarojnë se aktet e fundit të dhunës që u regjistruan përbëjnë shpërthimin më serioz të protestave anti-qeveritare mes komunitetit tibetian ndër vite.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA