Itali, mbyllen kërkimet për trupa në “Concordia”

31/01/2012 15:20

Zhytësit italianë kanë braktisur kërkimet për trupa në kryqëzorin e fundosur në ujra të cekëta pranë ishullit italian të Xhilios, pasi kushtet nënujore u përkeqësuan.

”Kemi mbyllur përfundimisht kërkimet me zhytës brenda anijes”, lajmëroi një drejtues i operacioneve, gjatë së martës.

15 persona konsiderohen zyrtarisht të humbur, ndërsa 17 të tjerë janë rikuperuar të pajetë. E vetmja shpresë për zbulimin e të humburve qëndron në rikuperimin e anijes, por një operacion i tillë mund të zgjasë mbi një vit.

Agjensia e Mbrojtjes Civile në Itali, e cila ka udhëhequr operacionet e shpëtimit, shpjegoi se ka kontaktuar me familjet e të humburve dhe ambasadat e huaja të përfshira, për t’i shpjeguar vendimin e tyre.

Kërkimet do të vazhdojnë në pjesën që qëndron ende në sipërfaqe, por shpresat që atje të zbulohen trupa të tjerë janë të vogla, duke qenë se këto zona janë inspektuar edhe më parë.

Ndërkohë, është ndërprerë puna për shkak të motit të keq edhe për thithjen e 2 300 tonëve karburant, që ndodhen në serbatorët e anijes. Operacioni për rikuperimin e “Costa Concordia”-s nuk mund të nisë pa pompuar jashtë mjetit të gjithë sasinë e naftës.

Një kryqëzor turistik me 4 200 persona në bord, “Concordia” u përplas me shkëmbinj nënujorë në datën 13 janar dhe u mbyt disa orë më pas. Sipas hetimeve, aksidenti u shkaktua si pasojë e një gabimi njerëzor të kapitenit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA