Fukushima, ANEB: Reaktorët të sigurtë

31/01/2012 00:00

Testet mbi sigurinë e reaktorëve bërthamorë në Japoni pas krizës së
Fukushimës janë në përgjithësi në koherencë me standartet e ANEB-së.

Është vetë agjencia e OKB-së për energjinë bërthamore që ka bërë vlerësimin, në përfundim të një vizite nëntëditore të inspektorëve të saj.

“Përfundimi i grupit është se procesi i rishikimit të NISA-s, agjencia bërthamore japoneze, tregon se gjendja e reaktorëve është në përputhje me standartet e ANEB-së”, thuhet në një deklaratë të hartuar nga kreu i grupit të inspektorëve, James Lyons.

Dëmtimi i impiantit të Fukushimës, i shkaktuar nga tërmeti dhe më pas tsunami i 11 marsit të kaluar, shkaktoi një krizë të vërtetë radioaktive që përfshiu disa rajone të Japonisë.

Lënda radioaktive e përhapur si pasojë e dëmtimit të reaktorëve preku ushqime dhe ujin e pijshëm në rajonet përreth Fukushimës e më gjerë.

Ngjarja pati një impakt botëror dhe bëri që vende të ndryshme të botës të rishikonin politikat e tyre për energjinë elektrike të prodhuar nga centralet atomike.

Në Evropë ishte Gjermania që njoftoi mbylljen e disa centraleve në vitet e ardhshme, e ndjekur më pas nga Franca dhe Zvicra, që sigurojnë në rrugë të tillë një pjesë të energjisë.

Top Channel