Niveli i papunësisë në Eurozonë arriti një rekord të ri në dhjetor 2011, zbuluan të dhënat zyrtare të “Eurostat”, institutit të specializuar të statistikave në Bashkimin Europian.
Papunësia e përbashkët në 17 shtetet që përdorin monedhën euro ishte prej 10,4% në dhjetor, 0,1% më e lartë se një muaji më parë.
Në krahasim me një vit më parë, në vendet e Eurozonës ka 750 mijë të papunë më shumë, për një total prej 16,5 milion njerëzish.
Vendi më i goditur nga papunësia është Spanja, ku niveli i saj arrin deri në 23%, ndërsa vendi me të dhënat më të mira është Austia, me vetëm 4,1%.
Gjatë pothuajse të gjithë vitit 2011, të dhënat kanë ardhur duke u përkeqësuar, ndërsa si pasojë e krizës së borxheve dhe rënies ekonomike, numri i falimentimeve gjithashtu është shtuar.
Guillaume Menuet, një ekonomist në grupin “Citigroup”, u shpreh se pret që numri i të papunëve të vazhdojë të rritet edhe gjatë 2012-s: ”Sipas sondazheve që kemi kryer midis bizneseve në disa vende të ndryshme të Eurozonës, është e qartë që situata pritet vetëm të përkeqësohet, ndikuar kryesisht edhe nga pasiguria shumë e lartë midis bizneseve. Në shumë raste, firma të rëndësishme vendosin të shtyjnë investimet e tyre, ndërsa ato që arrijnë ende të nxjerrin fitime, i ngrijnë në banka, për të patur rezerva për përballimin e kohëve me të vështira”.
Në total, midis 27 vendeve që përbëjnë Bashkimin Europian, numri i të papunëve është në 23,8 milion persona, ose 9,9% e totalit të forcë aktive për punë.
Top Channel