Britani, padi ish-shefit të shërbimeve sekrete

31/01/2012 00:00

Dy persona që pretendojnë se ishin dërguar ilegalisht në Libi nga
autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar kanë ngritur një padi ndaj një prej
oficerëve më të vjetër të shërbimeve sekrete britanike MI6.

Disidentët libianë Sami al Saadi dhe Abdel Hakim Belhadj pretendojnë se Sir Mark Allen ishte bashkëpunëtor në torturimin dhe marrjen e tyre në pyetje.

Avokatët e tyre kanë paraqitur dokumentet e klientëve, veprim që përbën edhe hapin e parë në aksionet ligjore civile për dëme të shkaktuara ndaj personit.

Sir Mark Allen ka refuzuar të komentojë akuzat. Policia Metropolitane ka nisur ndërkohë hetimin e saj lidhur me këto pretendime.

Al Saadi dhe Belhadj deklarojnë se i ishin dorëzuar regjimit të kolonelit Muammar Gaddafi në vitin 2004. Të dy paditësit deklarojnë se ishin arrestuar ilegalisht dhe dërguar në Libi nga autoritetet britanike.

Avokatët e dy disidentëve deklarojnë se duan ta padisin ish-shefin e seksionit të anti-terrorizmit të MI6 sepse gjetën emrin e tij në disa dokumente të zbuluara në Tripoli gjatë rënies së Gaddafi-t.

Top Channel