Komisioni Europian ka vënë menjëherë në zbatim marrëveshjen e arritur një natë më parë nga 25 vendet anëtare të BE-së.
Presidenti Barroso, i ka dërguar një letër krerëve të tetë vendeve me nivelin më të lartë të papunësisë për të rinjtë në Europë, përkatësisht Spanjës, Greqisë, Sllovakisë, Lituanisë, Italisë, Portugalisë, Letonisë, dhe Irlandës.
Sipas marrëveshjes që njeh nevojën e ndërmarjes së veprimeve të menjëhershme për nxitjen e rritjes ekonomike dhe punësimit, Barroso kërkon zhvillimin e planeve të veçanta që duhen përfshirë në Programe të Reformave Kombëtare, në të cilat secili vend anëtar nënvizon prioritetet e tij politike në kontekstin e të ashtu quajturit “Semestri Europian”.
Në letrat dërguar në gjuhët përkatëse të secilit vend, Presidenti i Komisionit propozon emërimin e një personi kontakti nga autoritetet kombëtare, një vizitë të një ekipi të Komisionit në muajin prill në secilin vend, si dhe zbulimin e elementëve të nevojshëm për një plan mbi papunësinë tek të rinjtë si dhe për skemat e ndihmës për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Një natë më parë, gjatë samitit informal në Bruksel, 25 vende anëtare, përveç Britanisë së Madhe dhe Çekisë, ranë dakord për paktin e quajtur “Euro Plus”, i cili përmban masat për konsolidimin fiskal, por edhe angazhimin për rritjen ekonomike dhe punësimin.
Pergatiti: Arta Tozaj
Top Channel