Ushtria siriane fitoi kontrollin e plotë mbi kryeqytetin Damask, pas disa orë luftimesh në lagjet periferike të kontrolluara nga rebelët.
Lajmi u raportua të hënën nga mediat ndërkombëtare, të cilat shtuan se tanqe dhe artileri e rëndë u përdorën për të bombarduar zonat, pavarësisht prezencës së mijëra civilëve të strehuar në banesat e tyre.
Rezistenca ka qenë më e forte vetëm në lagjen e Saqbës, ku bombardimet ishin në vazhdim edhe gjatë pasdites.
Të paktën gjashtë persona janë raportuar të vdekur në Damask dhe 13 të tjerë në zona të tjera në vend gjatë ditës. 60 viktima, shumica civilë, u regjistruan në luftime vetëm ditën e dielë.
Ministri i Jashtëm i Francës, Alain Juppe, do të udhëtojë në Nju Jork të martën, për të ushtruar presion mbi Organizatën e Kombeve të Bashkuara në shtrëngimin e masave kundër autoriteteve siriane.
Liga Arabe pezulloi misionin e saj gjatë të shtunës, duke cituar rritjen e vazhdueshme të dhunës dhe vrasjeve në vend si arsyen që motivoi këtë vendim.
Sipas grupeve të aktivistëve që raportojnë mbi situatën në Siri, nuk janë problem vetëm vrasjet mbi popullsinë civile, por edhe arrestimet e torturat nëpër burgje, ku mijëra persona mbahen në kushte çnjerëzore vetëm sepse janë të dyshuar si kundërshtarë të regjimit.
OKB vlerëson se mbi 5 500 persona kanë humbur jetën në konflikt që prej fillimit të tij dhjetë muaj më parë. Megjithatë, përpjekje të shumta të komunitetit ndërkombëtar për të vendosur masa të ashpra shtrënguese mbi presidentin Bashar al-Assad kanë përballur me veton kundër ruso-kineze në Këshillin e Sigurimit.
Top Channel