SHBA, Obama-Romney kokë më kokë

30/01/2012 17:50

Nëse në Shtetet e Bashkuara do të votohej sot për zgjedhjet presidenciale, presidenti Barack Obama dhe kandidati Mitt Romney do të ndodheshin në një betejë të fortë.

Kështu thonë sondazhet e fundit, mes të cilëve ai i Gallup, i publikuar në të përditshmen “USA Today”, që Obamës i jep 47 për qind të votave dhe rivalit të tij 48%.

Obama, sipas të njëjtit sondazh, do të fitonte “me duar në xhepa” ndaj Newt Gingrich, që do të merrte 40 për qind të votave kundrejt 54% të presidentit aktual.

Aktualisht Obama është përqendruar tek cështjet ekonomike, në vecanti tek krijimi i shanseve për të gjitha shtresat e jo vetëm për të pasurit.

“Nuk dua një vend vetëm për pak vetë, por një vend ku të gjithë të kenë mundësinë e tyre”, deklaroi presidenti amerikan gjatë një fjalimi të mbajtur javën e kaluar para studentëve të Universitetit të Miciganit.

Obama theksoi se duhen rregulla të njëjta për të gjithë, duke ritheksuar nevojën për miratimin e ligjit “Buffet”, ose rritjen e ngarkesës fiskale për të pasurit.

“Kush fiton më shumë se një milion dollarë në vit duhet të paguajë 30 për qind taksa dhe jo të përfitojë nga shkurtimet fiskale për më të pasurit”, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara.

Ndërsa Romney, beteja e të cilit me rivalin Gingrich është ashpërsuar së fundmi, në fund të javës së kaluar rimori kryesimin në sondazhet për zgjedhjet primare në Florida.

Kuotat e zotit Romney, në një shtet kyc, u rritën një ditë pasi ai detyroi zotin Gingrich që të mbrohej në një debat televiziv kokë më kokë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA