Samiti për krizën në Eurozonë

30/01/2012 00:00

Krerët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian nuk erdhën si ngahera në selinë e Këshillit në Bruksel.

Greva paralizuese në shërbimet dhe transportet publike, por edhe me bllokimin e disa hyrjeve në qytet, detyroi një pjesë të madhe të delegacioneve të ulen në një aeroport ushtarak, nga ku u përdorën eskorta policore për të mbërritur në lagjen europiane.

Sindikatat belge u bashkuan kundër masave të fundit shtrënguese të qeverisë se re. Greva kësaj here goditi aty ku dhëmb, me bllokimin e sektorëve kyç të ekonomisë: transportin publik, hekurudhor dhe ajror, sektorin e ndërtimit, edukimit, si dhe veprimtaritë e disa ndërrmarjeve dhe industrive vendase.

Një pjesë e qytetarëve që vendosi të punojë sot mbështeti të drejtën për grevën, por kritikoi bllokimet, ndërsa sindikalistët e arsyetuan si legjitim këtë veprim force, kur zëri i punëtorëve nuk dëgjohet.

Sindikatat belge, të bashkuara, thonë se masat shtrënguese nuk janë e vetmja zgjidhje ndaj krizës, e shprehen për krijimin e eurobondeve, mosrritjen e moshës së pensionit apo uljen e të ardhurave nga fondet sociale. Ideja e eurobondeve mbështetet nga presidenti i Parlamentit Europian, socialdemokrati Martin Shchulz.

“Eurobonde të përbashkëta të lëshuara me interesa me nivele të ulëta mund të ulin krizën e borxheve dhe të stabilizojnë sistemin bankar. Eurobondet janë një armë e fuqishme kundër spekullimeve me nivelet e interesit. Eurobondet janë një simbol i besimit të Europës për një të ardhme të përbashkët”, tha Shchulz.

Samiti europian do të bisedojë në fakt mbi mënyrat për nxitjen e rritjes ekonomike, ndihmës ndaj ndërmarrjeve të vogla e të mesme, apo punësimin e të rinjëve, që njihet si problem kyç në Europë.

Por krerët e shteteve përpiqen ndërkohë që të përfundojnë paktin e dhjetorit, i cili parashikon një përforcim të disiplinës buxhetore, por edhe masat ndëshkimore për “nxënësit e këqinj” që nuk do të respektonin marrëveshjen, e cila pritet të nënshkruhet nga 26 vende anëtare, pasi Britania e Madhe nuk preferoi t’i bashkangjitej.

“Do të dëshiroja që ky Këshill të vendosë sigurinë e plotë se Europa, e cila nuk ka rrugë tjetër me borxhet dhe financat publike, duhet që të drejtojë gjithashtu përpjekjet e saj për më shumë rritje ekonomike dhe për më shumë punësim”, deklaroi Jean-Claude Junker, kryeministër i Luksemburgut.

“As qytetarët dhe as qeveritë nuk janë përgjegjës për krizën aktuale. Të gjithë e dinë se baza e krizës vjen nga bota financiare, por në situatën ku ndodhemi, nuk duhet të lejojmë përkeqësimin e buxheteve nëpërmjet disiplinës”, u shpreh Eglio di Rupo, kryeministër i Belgjikës.

“Greva është nje realitet. E rëndësishmë është ruatja e dialogut social mes pronarëve dhe sindikalistëve dhe qeveria mbështet dialogun social”, vijoi ai.

Jashtë selisë së Këshillit të BE-së, në rrethrotullimin Shuman, sindikalistët thanë se temat reale të samitit dhe kërkesat e grevistëve tregojnë hendekun e thellë mes qytetarëve europianë dhe qeverive të tyre.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel