Pse u rrënua besimi i popullit te drejtësia?

30/01/2012 00:00

Bajram Peçi – Nga Roma e lashtë e këtej, ligjet janë vlerësuar si gurë themeli mbi të
cilët ngrihet shoqëria. Vetëm një gur po lëvizi, mund të shembet e
gjithë godina.

Mjafton për këtë një vendim gjykate, ku e vërteta të shtrembërohet, që e drejta natyrore, nga edhe rrjedhin ligjet njerëzore, të japë ato plasaritje në ngrehinën e drejtësisë për të rrënuar besimin. Nëse lëviz guri “para ligjit janë të gjithë të barabartë”, nuk do vonojë të shembet e gjithë ngrehina me emrin drejtësi. Tërë gjyqtarët; të Faktit, të Apelit e deri në nivelet më të larta të hierarkisë institucionale, e dinë mirë, e njohin nga librat, nga përvoja e veprimtaria, parimin kushtetues të shtetit të së drejtës: “Barazinë para ligjit”. Këtë parim e kanë pothuaj të gjithë popujt e shtetet demokratike. Vërtetë kodifikimi i tyre është i njëllojtë ose i përafërt, por zbatimi është i ndryshëm.

Për një varg arsyesh, duket qartazi se shumica e shqiptarëve nuk kanë besim te drejtësia dhe institucionet e saj në zbatimin e parimit “Barazia para ligjit”. Le të shohim disa prej tyre, nëpërmjet argumentesh që na mundësojnë të mos gënjejmë veten, duke u mbajtur si demokraci për shkak të ligjeve të shkruara, por që në temperamentin e pushtetit mbajnë erë autokratizëm.

* * *

Së pari, zbatimi i parimit: “Të barabartë para ligjit”, përcaktohet e varet nga edukata dhe formimi i shtresës së punonjësve e drejtuesve të aparatit të drejtësisë. Shtypi i shkruar, ai që ende nuk është vënë në shërbim të pushtetit, sheh, di, por nuk shkruan për gjyqtarë e prokurorë të përveçëm, për t’i përmendur me emra të korruptuarit, jo se nuk do, por nuk marrin përsipër të bëjnë budallain, pra bëjnë autocensurë, sa kohë që e dinë se do përfundojnë nën akuzën e “shpifjes” e për rrjedhojë, aleanca gjykatës-prokuror do ta çojë në kufizim lirie. Ata shohin vilat hijerënda, makinat luksoze, distancën e tyre me njerëzit e thjeshtë dhe janë të aftë të bëjnë disa llogari të thjeshta mes absurdit që ekziston në pagat që marrin, pasurive që zotërojnë dhe “Frymës së Ligjeve” të Monteskje. Si tërë shqiptarët, edhe punonjësit e drejtësisë vinin, ose erdhën nga varfëria, me arsimim të gjymtuar dhe formim të kufizuar. Nuk mëngoi që një shumicë syresh, pasurimin, mundësisht të shpejtë, ta kishin motiv udhëheqës e nxitës. Sa për edukimin e arsimimin, do ishte e mjaftë t’ju binim në vëmendje faktin se Shqipëria diplomon në një vit pothuaj aq “juristë” sa të plotësojë nevojat e të tërë shteteve të komunitetit europian. Prirja e rinisë shqiptare për të ndjekur Fakultetin Juridik e ka zanafillën te bindja se ky “fakultet i lehtë” të pasuron. Pas kësaj prirjeje, rend në një hap me të, ngritja e dhjetëra fakulteteve juridike private. Mjafton të regjistrohesh në to, të bësh pagesën dhe diplomimi është i sigurt. Deri tani nuk ka ndodhur që ndonjë i regjistruar në këto fakultete private të ketë ngelur, ndonëse atje shkojnë si rregull nxënësit që kanë qenë me rezultatet më të dobëta në të mesme.

Edukata dhe formimi i shtresave të veçanta të kësaj drejtësie, thjesht ilustron prapambetjen e pashembullt të saj dhe njeriut shqiptar, një pjesë e të cilit jeton ende nën pushtetin e kanunit.

* * *

Së dyti, barazia para ligjit varet nga mjedisi moral. Të tërë e shohin se vendi është i zhytur në urrejtje dhe i ndarë deri në armiqësi. Kjo është Shqipëria sot, si s’ka qenë asnjëherë e ndarë në historinë e saj. Urrejtja, më shumë se në çdo kohë tjetër, është më e dukshme në periudhat zgjedhore. Çdo palë zgjedhjesh në Shqipëri ndihmon për përçarjen më tej të kombit në demokratë e socialistë. Të parët u thonë të dytëve ”komunistë” dhe të dytët u thonë të parëve ”çeçenë” ose ”malokë”. Gjithë urrejtja zien dhe ndërsa zjarri e flaka mbahen ndezur nën kujdesin e kryeministrave, politika punon pa pushim për ngjalljen pareshtur të saj. Pas zgjedhjeve, të ndarët nga urrejtja sjellin në organet e larta të përfaqësimit mazhorancën dhe minorancën parlamentare, nga ku orvaten t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit. Nga këtu marrin rrugë përbërjet e institucioneve të larta të drejtësisë, që duhet të vendosin, duke përfaqësuar popullin, por që nuk përbëhen nga populli i thjeshtë. A është Gjykata e Lartë një institucion i depolitizuar? Po Gjykata Kushtetuese, a mund të jetë e tillë? Ligji thotë: Po, ashtu duhet të jetë! Por, në realitet nuk mund të arrihet, për sa kohë politika ndikon mbi përbërjet. Përcaktimi në Kushtetutë se: ”…Anëtari i Gjykatës së Lartë emërohet nga Presidenti i Republikës”, merr një karakter tërësisht formal, sepse në fakt miratimi bëhet vetëm me shumicë të thjeshtë nga Parlamenti. ”Gjyqtari i Gjykatës së Lartë emërohet nga Presidenti i Republikës, por pasi është marrë më parë pëlqimi i Kuvendit”, – thotë ligji. Pra, institucionet e larta të pushtetit gjyqësor nuk mund të mos jenë politike. E drejta kushtetuese vë në dukje se, efektiviteti i sistemit demokratik dhe garancia e lirisë lidhen me ndarjen strikte dhe të baraspeshuar të pushteteve brenda shtetit. Ato, thotë e drejta kushtetuese, duhet të jenë të organizuara në atë mënyrë që njëri pushtet të mund të frenojë fuqinë e tjetrit. Po, si mund të arrihet kjo në mjedisin moral shqiptar, në rrethanat kur organet më të larta të drejtësisë janë produkt politik? Këtë, tekstet nuk e thonë. Nga këtej merr rrugë anabasi i Kryeministrit për të shprehur qartazi vullnetin e tij se Ilir Meta nuk duhet dënuar. Në funksion të kësaj ndërmerr turin e stisur të konferencave të ashtuquajtura ”të shtypit”, ku, mes të tjerash, gjen kohë të flasë edhe për cilësinë e lartë të verërave të pira në darkat me njeriun që e mban në pushtet. Nuk vonon që ligjvënës e vendimmarrës, të cilët duan të shesin për rreptësi ligjore atë krekosjen e tyre meskine, arrijnë deri në atë pikë të verbër e të shurdhër, sa të poshtërojnë veten, duke kënaqur elitën e tyre drejtuese, ata që i kanë sjellë në ato poste, që u japin rrogat e një ministri, që u mundësojnë arsimimin e fëmijëve në profilin e etërve, që ua emërojnë pjellat e tyre në diplomaci apo poste fitimprurëse, që të qetë e të matur, pa asnjë shenjë hutimi apo lëvizje të nxituar, të shpallin vendimin: “I pafajshëm. Nuk ka prova”.

* * *

Së treti, zbatimi i parimit “Barazia para ligjit” varet edhe nga struktura e shoqërisë. ”Kur drithi dhe metalet, – thoshte Rusoi, – hynë në historinë e njeriut, barazia që kish ekzistuar në shoqërinë e natyrshme mori fund, e u nda në të pasur e të varfër, zotërinj e skllevër”. Kjo strukturë sociale, pavarësisht përparimeve, nuk është se e ka ndryshuar shumë natyrën nga koha e Rusoit, e para 200 vjetëve, por në mjedisin shqiptar është edhe më i spikatur. Në 20 vjet nga “starti i barabartë në nisje”, hendeku mes të pasurve e të varfërve vazhdon thellohet. Privilegjin për t’u bërë pronarë të pronave publike e pati veç një kategori individësh e familjesh, tërë kohën të lidhur me pushtetin. Zotërinjtë janë në përmbajtje ata që kanë qenë, ndërsa skllevërit nuk i thërrasin më me këtë emër, por i quajnë “të varfër”, ose të përcaktuar në formularët statistikorë të Ministrisë së Punës e të Shanseve të Barabarta (vini re ndajshtojcën të çuditshme e tallëse, “Shanse të Barabarta”), si “shtresa në nevojë”. Në të vërtetë, nuk ndesh në asnjë lëvizje apo program serioz që të ngushtohet hapësira mes të pasurve e të varfërve.

Sa më i varfër të jetë një shtet e një popull, aq më i korruptuar është sistemi i drejtësisë. Vetëm frika mund të frenojë sadopak korrupsionin në drejtësi dhe autoritetin për të të bërë gogolin e kanë organet më të larta të përfaqësimit të popullit. Kur këtë rol ka dashur ta bëjë media, s’ka vonuar të shohim të dalë në konferencë shtypi ndonjë përfaqësues i organeve të drejtësisë, i cili është ankuar në emër të kolegëve dhe institucionit që përfaqëson se, ndaj tyre po bëhet presion dhe orvatje për t’i denigruar.

Asnjë vend që ka respekt për veten nuk lejon që drejtësia të përfundojë në këtë rrënim, ku xhepistit, produkt i mjerimit, me drejtësi i tregohet vendi – dënimi me burg për vjedhjen e portofolit me 200 lekë, dhe u jepet pafajësia vjedhësve miliona eurosh (shifra që fluturonin në hapësirën e sallës, ku Prifti jepte dëshminë), që, duke qenë të lirë, duke u lejuar të jetojnë mes nesh, helmojnë ajrin. Këto janë, as më pak e as më shumë se veprime tipike të feudeve fisnore e primitive, çka si sjellje, nuk bën shumë përjashtim nga vetë struktura e shoqërisë tonë. Rastet “President” e “Prokuror i Përgjithshëm”, ndonëse përbënin zgjedhje politike të partisë në pushtet, kur individët nuk pranuan të bëhen lolo oborri të Kryeministrit, u bënë hasha, u anatemuan, u kërcënuan.

Populli po mban frymën e pret, i bindur se stuhia s’do vonojë të shpërthejë, ndonëse shumica e njerëzve tek ne, janë aq dembelë e frikacakë, sa pranojnë më mirë të rrinë larg e t’i hapin rrugë mashtrimit “në emër të drejtësisë”, në vend që të tregohen të vendosur e të fortë dhe t’ia presin rrugën kësaj të keqeje njëherë e përgjithmonë. Por, tunelit po i vjen fundi. Po shihet nga shumica vagëllim drite, çka tregon se ai po mbaron. Të zhytur në errësirën e mungesës së energjisë elektrike, prej 20 vjetësh, me argumentin se sistemi i transmetimit nuk mban ngarkesat e dëngla të tjera të atyre që kullosin pronat publike, nuk pengohemi të shohim se dritën që ndriçon na e sjell, si paradoks, i ashtuquajturi institucion i drejtësisë. Është dritë për të parë se deri në ç’llum është zhytur administrata e lartë shtetërore. Gjërat vijnë edhe më të qarta pas vendimit të Gjykatës së Lartë për Ilir Metën, pas kërcënimit të Kryeministrit se do hetojë vetë organin e akuzës, pas orvatjeve që pushteti bën nëpërmjet interpretimeve, për kufizimin e lirisë dhe të drejtës së protestës. Por jo pak ndihmesë, për të parë makinën e drejtësisë jashtë funksionit dhe se si vendi kridhet në pangopësinë pleqërore gjithnjë në rritje, kanë dhënë e japin televizione e gazeta të përmbytura nga gazetaria servile ndaj pushtetit, të cilat përpiqen të veshin ligësinë me petkun e idhullit “Dominus Albania”, titull përmes të cilit Republika Serenisima nderonte Skënderbeun.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB