Norvegji, burg për dy terroristët

30/01/2012 16:30

Një gjykatë në Norvegji dënoi me burgim dy eksponentë të Al-Kaedës, të cilët tentuan të sulmonin gazetën daneze “Jyllands-Posten” pasi ajo publikoi disa karikatura të Profetit Muhamed.

Këto ishin dënimet e para të dhëna në vendin skandinav për akuza të terrorizmit. Mikael Davud, një shtetas norvegjez me origjinë ujgure, u dënua me shtatë vjet heqje lirie pasi u provuan lidhjet e tij me Al-Kaedën.

Bashkëpunëtori i tij, një kurd iraken, u dënua me tre vjet e gjysmë burgim, ndërsa David Jakobsen, i dyshuar si pjestar i celulës, u shpall i pafajshëm.

Të tre personat, të arrestuar në vitin 2010, e kanë deklaruar veten të pafajshëm, ndonëse Davud pranoi se planifikonte të godiste interesat kineze në Norvegji, për shkak të trajtimit të keq që i rezervohet ujgurëve në vend.

Gjatë gjyqit u provua se Davud kishte mësuar se si të ndërtonte bomba artizanale në një kamp të Al-Kaedës në Pakistan.

Ata u kapën pasi kishin blerë disa substanca të dyshimta në një farmaci në Norvegji, ku po ndërtonin bombën që do të vendosnin në redaksinë e gazetës. Gjithashtu, dy terroristët kishin si qëllim të ekzekutonin personin që vizatoi karikaturat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA