Të paktën 18 persona mbetën viktimë e ngricës që ka goditur Ukrainën në ditët e fundit, ndërsa dhjetë të tjetër humbën jetën në Poloni, konfirmuan autoritetet e të dy vendeve të hënën.
Viktima janë regjistruar gjithashtu edhe në Serbi dhe Bullgari, ndërsa Europa është duke përjetuar një prej dimrave më të ftohtë në dekada. Situata dramatike pritet të vazhdojë edhe në javën në vazhdim, pasi masa të ftohta ajri do të vijnë nga Siberia.
12 kufoma të pastrehësh u zbuluan të dielën dhe të hënën në rrugët e qyteteve ukrainase, pasi temperaturat arritën gjatë natës deri në minus 23 gradë celcius. Në total, bilanci i viktimave ka shkuar në 18 brenda disa ditësh, ndërsa të paktën 500 persona kanë kërkuar trajtim në spitale për shkak të hipotermisë.
Autoritetet kanë përshtatur me urgjencë disa strehime të përkohshme për 17 mijë të pastrehë, por numri i tyre në vend është disa herë më i madh.
Polonia ishte duke përjetuar një dimër relativisht të butë deri ditën e premte, kur temperaturat ranë befas deri në -26 gradë celcius. Ministria e Brendshme, Malgorzata Wozniak, raportoi se deri tani janë regjistruar dhjetë viktima, persona të moshuar dhe të pastrehë.
Parashikimet flasin për një përkeqësim të mëtejshëm të kushteve atmosferike gjatë javës, me temperaturat që do të zbresin nën -20 gradë celcius gjatë ditës dhe nën -30 gjatë natës.
Strehime urgjente janë përshtatur edhe në Republikën Çeke dhe në disa vende të tjera të Europës Qëndrore.
Gjermani, dimri më i ftohtë në tre dekada
Gjermania bëhet gati të përjetojë dimrin më të ftohtë në pothuajse tre
dekada, ndërsa temperaturat në shumë zona të vendit do të zbresin nën
minus 20 gradë celcius.
Sipas asaj që shkruan “Bild” në versionin e saj në internet, rënia e temperaturave do të vazhdojë gjatë javës, si pasojë e ndikimit të disa masave ajrore të ftohta në mbërritje nga Siberia.
Temperaturat do të ndikohen në pothuajse në të gjithë vendin, ndërsa në zonat veriore termometri do të zbresë nën -20 gradë.
Ende pa mbërritur këto masa ajrore, ky dimër konsiderohet si një prej më të ftohtëve në Gjermani, ndërsa temperaturat në Berlin në orët e para të ditës së hënë ishin prej -10 gradë celcius.
Vendet ballkanike janë gjithashtu duke përjetuar një dimër me temperatura të ulta rekord, të cilat kanë shkaktuar viktimat e para në Rumani, Bullgari dhe Serbi.
Top Channel