Kriza midis Iranit dhe vendeve perëndimore vazhdon të thellohet, pasi Teherani kërcënoi të hënën me ndërprerjen e furnizimit me karburant për disa vende “armiqësore”.
Rostam Qasemi, Ministri i Naftës, deklaroi se masat e njëanshme të vendit të tij do të shpallen së shpejti, por nuk pranoi të zbulonte se cilat shtete do të goditen nga këto sanksione.
Paralajmërimi vjen vetëm disa ditë pasi BE iu bashkua nismës amerikane, duke shpallur një bllokadë të plotë ndaj eksporteve iraniane të karburantit duke nisur nga data 1 korrik.
Ambiciet bërthamore e kanë shndërruar vendin e madh aziatik në objekt të shumë masave të tjera shtrënguese ekonomike, midis të cilave edhe bllokimi i çdo transaksioni financiar dhe i të gjitha aseteve në perëndim.
Sipas analistëve, nëse Irani, eksportuesi i pestë më i madh i naftës në botë, do të ndërpresë në mënyrë të menjërshme eksportin ndaj disa ekonomive të mëdha europiane, do të kontribuonte në krijimin e një krize afatshkurtër energjitike, që do të pasohej nga rritja e menjëhershme e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare.
Javën e shkuar, presidenti Ahmadinejad paralajmëroi vendet europiane duke thënë se çdo bllokadë do të dëmtonte vetëm ekonominë e tyre. Ai kujtoi se vetëm 20% e eksportit të mbi dy milion fuçive në ditë shkojnë në Bashkimin Europian.
Blerësit më të mëdhenj të naftës iraniane janë Kina, India, Japonia dhe Korea e Jugut, ku shkon mbi 50% e eksportit. SHBA ka ndërprerë prej kohësh furnizimin nga Irani.
Top Channel