Belgjika paralizohet nga greva e përgjithshme

30/01/2012 15:30

Belgjika është paralizuar nga një grevë e përgjithshme 24-orëshe, e para në gjashtë vjet, ndërsa liderat e vendeve europiane janë takuar në një samit në Bruksel.

Stacioni i trenave në kryeqytet qëndroi i mbyllur të hënën, ndërsa aeroporti i linjave me kosto të ulët në Sharlërua, anulloi të gjithë fluturimet në ardhje dhe dalje.

Ndonëse aeroporti i Brukselit do të qëndrojë i hapur, trafiku në të gjithashtu do të ndikohet nga greva. Porti më i madh në vend, ai i Antverpit është mbyllur gjithashtu, së bashku me shumë uzina dhe qëndra të tjera pune.

Liderat e BE-së kanë nisur të hënën bisedimet për ndryshimet që do të kryhen në traktatet financiare dhe mënyrat se si mund të rikthehet rritja ekonomike në Eurozonë.

Pritet që punimet e samitit të përfundojnë me firmosjen e një marrëveshje që do të ashpërsojë rregullat buxhetore dhe do të shkurtojë investimet qeveritare në tërësi.

Sindikatat belge kundërshtojnë kundër planeve të autoriteteve për të kursyer 11,3 miliardë euro, në kuadër të reformave për të reduktuar defiçitin buxhetor. Midis masave të parashikuara nga Brukseli është edhe ajo e rritjes së moshës së pensionit.

Megjithatë, shumica e popullsisë belge duket se e ka kuptuar nevojën për të ulur investimet qeveritare. Sipas sondazhit të publikuar në një të përditshme, vetëm 21% e popullsisë e mbështet grevën e përgjithshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA