Një këmbësor humbi jetën në Tiranë në orët e para të së dielës, pasi u përplas nga një makinë ndërsa po kalonte rrugën në afërsi të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, midis Laprakës dhe Zogut të Zi.
Viktima e seksit mashkull, me një identitet ende të pazbuluar, u godit nga një automjet që po lëvizte jashtë normave të shpejtësisë. Më pas, mjeti u largua nga vëndngjarja, duke mos i dhënë asistencë të aksidentuarit, i cili humbi jetën në rrugë.
Burimet policore bëjnë të ditur se po punohet me kamerat e sigurisë së disa bizneseve në zonë, për të zbuluar se kush shkaktoi këtë incident.
Në bazë të kodit penal të Republikës së Shqipërisë, largimi nga vendi i aksidentit është një kundravajtje penale që dënohet me gjobë deri me një vit heqje lirie, ndërsa goditja e pavullnetshme e një këmbësori klasifikohet zakonisht si vrasje nga pakujdesia, e dënueshme deri në pesë vjet burgim, në mungesë të rrethanave të tjera rënduese.
Top Channel