Siria dënoi ashpërsisht të dielën vendimin qe Ligës Arabe për të pezulluar misionin monitorues në vend.
Vendimi i Ligës u motivua me rritjen dramatike të dhunës gjatë ditëve të fundit, por Siria pretendon se misioni është përdorur si një preteks, për një ndërhyrje ushtarake të huaj në vend.
Organizata e Kombeve të Bashkuara është duke konsideruar një rezolutë të re ndaj Sirisë, e cila parashikon masa të reja ndëshkuese dhe lë të hapur mundësinë e një agresioni.
Një delegacion i Ligës Arabe do të udhëtojë deri në Nju Jork, për të paraqitur propozimet e tij përpara OKB-së. Megjithatë, Rusia ka bërë të ditur se nuk do të pranojë asnjë plan të ri kundër Damaskut dhe se do të përdorë veton e saj në Këshillin e Sigurimit për këtë qëllim.
Në një komunikatë të Ministrisë së Jashtme, Siria shprehte “befasinë” dhe “keqardhjen e saj” për tërheqjen e misionit vëzhgues.
”Qëllimi i vetëm i këtij veprimi të Ligës Arabe është të vendosë nën presion Këshillin e Sigurisë, në mënyrë që të justifikojë një ndërhyrje ushtarake dhe të inkurajojë grupet e armatosura në vend që të përshkallëzojnë masën e revoltës dhe dhunën e tyre”, shkruhej në deklaratën e Damaskut zyrtar.
Siri, dhjetëra viktima gjatë së dielës
Ushtria siriane ka nisur një raprezalje të ashpër ndaj rebelëve ditën e dielë, ndërsa dhjetëra të vrarë janë regjistruar vetëm gjatë mëngjesit.
Sulmi i forcave qeveritare vjen në ditën kur Liga Arabe lajmëroi për tërheqjen e misionit të vëzhgimit nga vendi, si rezultat i shtimit të vazhdueshëm të dhunës.
Sipas aktivistëve, deri në mesditën e së dielës, 33 persona ishin vrarë në qytetin e Rankusit, ndërsa një numër i paqartë viktimash janë regjistruar edhe në afërsi të kryeqytetit Damask, ku ushtria ka nisur një sulm për kontrollimin e disa zonave kyçe.
Rankus, një qytet malor me 25 mijë persona, është duke u bombarduar që prej ditës së mërkurë me artileri nga divizioni i katërt i ushtrisë, i drejtuar nga vëllai i presidentit Bashar al-Assad, Maher.
Sipas vlerësimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pothuajse 6 mijë persona kanë mbetur të vrarë në dhjetë muajt e revoltave. Megjithatë, numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë, pasi reporterët ndërkombëtarë nuk kanë askes në vend.
Top Channel