Kreu i FMN-së: Na duhen para

29/01/2012 15:50

“Jam këtu me çantën time të vogël për të mbledhur para!”

Më qartë se kaq, Christine Lagarde nuk mund të fliste. Në forumin ekonomik të Davosit në Zvicër, shefja e FMN-së vendosi të shmangte deklaratat e tërthorta e të kërkonte edhe një herë ndihmë financiare për kapërcimin e krizës së eurozonës.

“Është e një rëndesie kyçe që anëtarët e zonës së euros të arrijnë të krijojnë një sistem parandalimi të thjeshtë dhe efikas, i cili të funksionojë si përsa i takon kufizimit të kontaminimit, ashtu në drejtim të rritjes së besimit në eurozonë në mënyrë që nevojat financiare të saj të përmbushen, edhe nëse financat botërore nuk duken të interesuara”, ka deklaruar Lagarde.

Lagarde konfirmoi edhe një herë përgjegjësinë e FMN-së për mbështetje në këto momente të krizës europiane dhe u ka kërkuar vendeve anëtare të fondit të tregojnë suportin e tyre duke kontribuar në zgjidhjen e ngërçit të borxhit.

“Funksioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar është ai i të vepruarit si propagandues i besimit dhe stabilitetit. Askush nuk është i imunizuar nga kriza, nuk jemi kurrë më të lidhur se tani ndaj ky nuk është një telash vetëm i eurozonës”, shtoi Lagarde.

Sipas saj, në Europë është shënuar progres, por zhvillimi i një mekanizmi të thjeshtë e të qartë fondesh të emergjencës është i nevojshëm për të dekurajuar spekullatorët. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, një sistem i tillë duhet të mbledhë diku tek 500 miliardë dollarë.

Lagarde shtoi gjithashtu se disa vende të eurozonës e kanë fleksibilitetin e nevojshëm për të nxitur rritjen në ndihmë të rimëkëmbjes së ekonomisë në mbarë zonën e monedhës së përbashkët. Pa përmendur Gjermaninë, ajo tha se jo të gjitha vendet anëtare duhet të adoptojnë me të njëjtin ritëm apo nivel shkurtime për uljen e nivelit të borxhit. Disa vende, pohoi Lagarde, duhet të ecin përpara shumë shpejt me konsolidimin fiskal, por të tjerë kanë akoma kohë në dispozicion.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA