
Liga Arabe ka pezulluar misionin e saj vëzhgues në Siri dhe shkak për këtë është bërë mungesa e theksuar e sigurisë për përfaqësuesit e saj në qytetet siriane.
Vendimi u mor pas shtimit të dhunës në disa qytete Siriane, ku vetëm në 3 ditët e fundit, grupet dhe aktivistë të të drejtave të njeriut dhe zëdhënës të protestuesve dhe forcave rebele, njoftojnë se janë vrarë të paktën 300 persona në disa qytete.
Pjesa më e madhe e viktimave janë regjistruar në qytetin e Homsit, ku ka patur përleshje mes grupeve dezertore të ushtrisë dhe forcave të sigurisë qeveritare. Pamjet që qarkullojnë në internet, ato që kanë mundur t’i shpëtojnë censurës së Damaskut, tregojnë forca të shumta ushtarake në qytetin e Homsit, ku një pjesë e mirë e tyre kanë refuzuar të qëllojnë ndaj protestuesve të paarmatosur dhe kanë dezertuar.
22 vendet e Ligës Arabe prej disa javësh i bëjnë thirrje presidentit Bashar al-Assad që t’i japë fund dhunës në vend. Brenda vetë organizatës, disa vende anëtare i kanë bërë thirrje Assad-it të japë dorëheqjen. E tillë ishte deklarata e Mbretit të Jordanisë dhe e kryeministrit të Katarit, që i kërkoi presidentit sirian të tërhiqet nga pushteti dhe të lërë në këtë post zëvendësin e tij.
Opozita: Protesta kundër Moskës
Opozita siriane bëri thirrje për manifestime masive, përballë cdo ambasade ruse në të gjithë botën, për të treguar mos aprovimin e tyre ndaj qendrimit të Moskës kundër një rezolute të re të OKB-së për Sirinë.
“U kërkojmë të gjithë sirianëve jashtë vendit të tregojnë solidaritetin e tyre duke u ulur para ambasadave ruse të dielën në orën 14:00”, thuhet në njoftimin e opozitës siriane.
Ndërkohë, përfaqësues të Ligës Arabe kanë zhvilluar një takim me përfaqësues të lartë të diplomacisë ruse mbi cështjen e Sirisë. Lajmi njoftohet nga zëdhënësi i Ligës Arabe, Ahmed Bin Hali. Ai ka sqaruar se në takim është biseduar mbi qendrimet që do të mbahen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi Damaskun, por pa saktësuar nëse është arritur ndonjë marrëveshje apo jo.
Damasku: Të pastrojmë vendin nga kriminelët
Pavarësisht presionit të ndërkombëtareve, përfshi këtu edhe atë të Ligës Arabe, qeveria siriane shprehet e bindur, në atë që ajo e quan “pastrimin e vendit nga të gjithë kriminelët”.
Kështu ka deklaruar Ministri i Brendshëm sirian, Mohammed Ibrahim al Chaar, cituar nga televizioni shtetëror i Damaskut.
Ministri ka shprehur gjithashtu edhe habinë e tij për vendimin e Ligës Arabe për të pezulluar misionin e saj vëzhgues në terren, duke deklaruar se autoritetet kishin mundësi t’u ofronin sigurinë e nevojshme përfaqësuesve të Ligës Arabe.
Top Channel