Kompania spanjolle SpanAir, pas vështirësive financiare mbyll aktivitetin e saj dhe shumë prej aeroporteve janë në kaos. Dhjetra fluturime për dhe nga Madridi, Barcelona dhe Kanarie u anuluan, rreth 22 mijë pasagjerë mbetën në tokë.
“U kam kërkuar nëse mund të kthehem të hënën. Duhet të udhëtoj tani për në Bilbao dhe të kthehem të hënën, sepse më duhet të jem në punë, atë ditë. Ata m’u përgjigjen se po zhvillojnë mbledhje dhe s’mund të më garantojnë asgjë”, deklaron një prej udhëtarëve.
Mbyllja e aktivitetit u mësua nga Ministria spanjolle e Infrastrukturës duke e ftuar kompaninë të përmbushë “detyrimet ndaj pasagjerëve” dhe të bëjë të qarta masat që kërkon të marrë në vazhdim. Kompania e fluturimeve “SpanAir” vendosi të mbyllë aktivitetin pas dështimit të negociatave me “Qatar Airways”, e cila ishte e interesuar për krijimin e një aleance financiare. SpainAir e argumenton vendimin duke nënvizuar “mungesën e gatishmërisë financiare, në muajt e ardhshëm”.
Të paktën 3200 persona humbasin vendin e punës, pas mbylljes së kompanisë. E themeluar në vitin 1986, SpainAir kryente fluturime të brendshme. Dikur e kontrolluar nga kompania skandinave, SAS, ajo i kaloi aksionerëve spanjollë dhe njihet si një ndër katër kompanitë më të mëdha të fluturimeve në Spanjë.
Në malin e vështirësive që rëndojnë mbi kompaninë është dhe incidenti dramatik i gushtit të vitit 2008, kur një avion u përplas pak pas shkëputjes nga toka në aeroportin e Madridit, duke shkaktuar vdekjen e 154 personave.
Top Channel