Presidenti venezuelian Hugo Chavez ka deklaruar se dëshiron t’i shtrëngojë dorën homologut amerikan Barack Obama dhe të rindërtojë marrëdhëniet me SHBA.
Chavez ka bërë të ditur se ka ndërmend ta bëjë këtë gjë nëse fiton një mandat të tretë në zgjedhjet e tetorit, ndërkohë që një muaj më vonë homologu i tij do të kërkojë të dytin.
Presidenti i vendit latin ka thënë se po e merr veten nga operacionet e kryera. “Ndihem më i gjallë se kurrë”, ka shtuar Chavez, i cili pretendon se betejën me kancerin e ka fituar.
Ndërsa më herët gjatë muajit, një revistë e njohur braziliane shkruante se presidentit venezuelian i ka mbetur më pak se një vit jetë.
Sipas “Veja”, gjendja e tumorit është në një stad të tillë, sa që mjekët kubanezë i kanë bërë të qartë Chavez se sëmundja është e paoperueshme dhe se e vetmja gjë që mund të bëjnë për të është trajtimi nëpërmjet disa mjekimeve të forta, që do të zgjasin me disa muaj jetën.
Vetë Chavez u tha rreth dy javë më parë liderëve të opozitës se do të heqë dorë nga pushteti nëse humbet në zgjedhjet që do të mbahen në tetor.
Ndërkohë që përsa i përket marrëdhënieve me Amerikën, pas diagnostikimit me kancer të presidentes argjentinase, ai akuzoi Shtetet e Bashkuara se përhapin sëmundjet.
Top Channel