Bin Laden, mjeku pakistanez ndihmoi CIA-n

28/01/2012 11:35

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta ka njoftuar publikisht, për herë të parë, se një doktor pakistanez ndihmoi në sigurimin e informacioneve kyce për vendndodhjen e Bin Laden.

Ishin pikërisht këto informacione që sollën suksesin e operacionit të forcave speciale në maj të vitit të kaluar në Abotabad të Pakistanit.

Panetta tha për emisionin “60 Minuta” të kanalit televiziv CBS, se doktori Shakil Afridi ndihmoi në sigurimin e informacioneve. Pas operacionit, qarkullonin raportime se CIA e ka rekrutuar doktorin për të bërë një fushatë vaksinimi në Abotabad. Qëllimi i saj ishte të konfirmonte vendndodhjen e Bin Ladenit në qytet duke marre një kampion ADN-je. Sic raportojnë mediat nuk dihet ende nëse ADN-ja e kryeterroristit apo e pjesetareve të tjerë të familjes së tij u mor apo jo.

Që prej atëherë doktori është akuzuar nga Pakistani për tradhëti. Panetta deklaroi se ishte shumë i shqetësuar për të.

Gjithashtu, shefi i Pentagonit shprehu bindjen e tij se dikush në radhët e qeverisë pakistaneze duket të kishte ditur dicka për vendndodhjen e kryeterroristit. Megjithatë, ai tha se nuk kishte prova për këtë.

“Jam shumë i shqetësuar se cfarë po bëjnë pakistanezët me këtë individ. Veprimet e tij nuk ishin në asnjë mënyrë tradhëti kundrejt Pakistanit. Është fakt që Pakistani dhe Shtetet e Bashkuara kanë një kauzë të përbashkët kundër terrorizmit. Marrja e këtyre veprimeve kundër dikujt që na ka ndihmuar kundër terrorizmit, mendoj se është një gabim i madh”, reagoi Panetta pas arrestimit të mjekut.

Nga ana tjetër, qeveria pakistaneze kishte shpresuar ta zgjidhte cështjen e Afridit me qetësi, sapo vëmendja e mediave të ulej, ndoshta duke ua dorëzuar atë amerikanëve.

Ata kërkuan ruajtjen e anonimatit për shkak se hetimi mbi akuzat që rëndojnë mbi doktorin është ende në zhvillim e sipër.

Mbi ngjarjen në fjalë ka reaguar edhe kryeministri pakistanez, Yusuf Raza Gilani. Nga Davosi ku po merr pjesë në forumin ekonomik, ai tha se Islamabadi është i interesuar për marrëdhënies shumë të mira me SHBA, por me respekt e interes të ndërsjelltë.

“Megjithatë ne dëshirojmë marrëdhenie shumë të mira me Shtetet e Bashkuara. E njohim rëndësinë e këtij vendi dhe dëshirojmë të punojmë bashkë për një objektiv të përbashkët, luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, por në të njëjtën kohe dëshirojmë të jetë në respektin dhe interesin e ndërsjelltë”, tha Gilani.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA