Gjashtë pasagjerë të anijes turistike “Concordia” kanë prezantuar dje në Majemi një denoncim kundër shoqërisë që e menaxhonte atë, duke kërkuar një dëmshpërblim prej 460 milionë dollarësh.
Avokati i gjashtë pasagjerëve, Marc Berna ka sqaruar se veprimi ligjor ka nisur në një gjykatë të Majemit, ku ndodhet dhe selia qendrore e kompanisë “Carnival”.
Akuza e drejtuar nga avokati ndaj kompanisë në fjalë dhe asaj “Costa Crociere” ka të bëjë me neglizhencën e ekuipazhit, si pasojë e të cilës ka ardhur dhe mbytja 13 janarin e kaluar.
Presidenti dhe njëkohësisht administratori i “Carnival”, Micky Arison ka bërë dje shfaqjen e tij të parë publike pas tragjedisë detare.
Arison, 62 vjec, i kritikuar rëndë nga mediat pasi nuk shkoi në vendin e ngjarjes, ka ndjekur një ndeshje basketbolli mes “New York Knicks” dhe “Miami Heat”, i të cilës është dhe pronar.
I etiketuar nga mediat si “administratori i deleguar i padukshëm”, ai u shfaq i qetë dhe i qeshur. I veshur sportiv, Arison ka ndjekur skuadrën e tij teksa mposhtte kundërshtarët, si dhe ka shkëmbyer disa fjalë me disa persona.
Arison u kishte shprehur ngushëllimet e tij familjeve të viktimave në një komunikatë dhe kishte dhënë garancinë e tij personale se do të kujdesej për të gjitha viktimat.
Top Channel