Siri, 46 të vrarë vetëm të premten

27/01/2012 21:25

Të paktën 46 persona, shumica e të cilëve civilë, janë vrarë sot në Siri, ku janë regjistruar viktima për herë të parë edhe në qytetin e Alepos.

Lajmin e ka bërë të ditur Observatori sirian i të drejtave të njeriut, i cili ka saktësuar se nga civilët, 23 janë vrarë në Naua, në provincën e Darasë, pesë në Aleppo, pesë në Homs, tre në Duma dhe një në Hama.

Sipas të njëjtit burim, që prej së martës bilanci i viktimave të dhunës ka arritur në 166. Nga këta, 33 janë vrarë atë ditë, 25 të mërkurën, 62 të enjten dhe 46 të premten.

Shefi i monitoruesve të Ligës Arabe paralajmëroi ditët e fundit për një përshkallëzim të mundshëm të dhunës në Siri, për shkak të intensifikimit të ofensivës së qeverisë.

Gjenerali Mustafa al Dabi deklaroi se dhuna do të bënte më të vështirë angazhimin e dy palëve në bisedime. Bisedime pritet të bëhen më vonë edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Korrespondenti i BBC në Damask, Jeremy Bowen deklaron se regjimi duket se po humbet kontrollin në zonat e kryeqytetit ku ka rebelime.

Sipas reporterit, luftëtarët e opozitës kanë ngritur postoblloqe dhe duket se lëvizin të lirë në periferitë e kryeqytetit sirian, Douma dhe Sakba.

Sipas vlerësimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më shumë se 5500 persona kanë mbetur të vrarë që prej nisjes së revoltave në muajin mars.

Megjithatë, numri mund të jetë më i lartë, pasi mungesa e reporterëve ndërkombëtarë në Siri e bën shumë të vështirë aksesin e informacionit nga zona të ndryshme të vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA