OKB, rezolutë e re kundër Sirisë

27/01/2012 13:00

Këshilli i Sigurisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara do të diskutojë sërisht rreth krizës në Siri, ndërsa luftimet vazhdojnë të jenë të përgjakshme në vendin arab.

Rezoluta të mëparshme kundër regjimit të Bashar al-Assad janë bllokuar nga vetoja kundër e Rusisë dhe Kinës. Megjithatë, këtë herë do të jetë e vështirë një votë kundër, duke qenë se projek-rezoluta do të hartohet nga vetë Liga Arabe.

Sipas aktivistëve, 65 persona u vranë vetëm gjatë të enjtes, ndërsa luftimet janë zhvendosur deri pranë periferisë së kryeqytetit, Damask. Midis tyre, 32 viktima janë shkaktuar vetëm në qytetin e Homsit, vatër e revoltave.

Rami Abdul-Rahman, kryetari i Observatorit Sirian të të Drejtave të Njeriut, e përshkroi ngjarjen e Homsit si një masakër, ndërsa theksoi se gra dhe fëmijë ndodheshin midis viktimave.

Aktualisht, një mision vëzhgues i Ligës Arabe ndodhet në vend, por shpresat se delegacioni do të frenonte vrasjet kanë rezultuar boshe, ndërsa përleshjet e vazhdueshme midis rebelëve dhe forcave qeveritare vazhdojnë me intensitet të madh në të gjithë vendin.

Sipas vlerësimeve të Organizatës së Kombeve të Njeriut, më shumë se 5 500 persona kanë mbetur të vrarës deri tani që prej nisjes së revoltave në muajin mars. Megjithatë, numri mund të jetë më i lartë, pasi mungesa e reporterëve ndërkombëtarë në Siri e bën shumë të vështirë aksesin e informacionit nga zona të ndryshme të vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA