“Nuk dua një vend vetëm për pak vetë, por një vend ku të gjithë të kenë mundësinë e tyre”. Kështu ka deklaruar presidenti amerikan Barack Obama, gjatë një fjalimi të mbajtur para studentëve të Universitetit të Miciganit.
Obama ka theksuar se duhen rregulla të njëjta për të gjithë, duke ritheksuar nevojën për miratimin e ligjit “Buffet”, ose rritjen e ngarkesës fiskale për të pasurit.
“Kush fiton më shumë se një milion dollarë në vit duhet të paguajë 30 për qind taksa dhe jo të përfitojë nga shkurtimet fiskale për më të pasurit”, ka thënë presidenti i Shteteve të Bashkuara.
Obama ka përsëritur kështu fjalimin e pak ditëve më parë në State of Union, ku sulmoi pabarazinë e të ardhurave. Ekonomia amerikane është në përmirësim, por papunësia mbetet e lartë në kuotën 8.5 për qind.
Në fjalimin e transmetuar në televizion, Obama e vuri theksin tek rëndësia e një ekonomie që punon për të gjithë. Ai u bazua pikërisht tek rinovimi i taksave më të larta për të pasurit, një pikë që republikanët e kundërshtojnë fort.
State of the Union është një nga ngjarjet më të ndjekura politike në SHBA. Tradicionalisht ajo përfshin parashikimet e Shtëpisë së Bardhë për politikën e vitit të ardhshëm.
Fjalimi i presidentit Obama në Dhomën e Përfaqësuesve, që dominohet nga republikanët, ishte me një sy nga zgjedhjet presidenciale të nëntorit, ku ai do të kërkojë një tjetër mandat katër vjecar.
Top Channel