Itali, tjetër tërmet në veri të vendit

27/01/2012 17:45

Veriu i Italisë është tronditur nga një tërmet me magnitudë 5.3 ballë, për herë të dytë brenda javës.

Banorët e qyteteve Torino dhe Milano kanë qenë mes atyre që ndjenë lëkundjen sizmike rreth orës 15:53, e cila duket se nuk ka shkaktuar viktima dhe dëme.

Autoritetet deklaruan se epiqendra e tërmetit ishte 36 kilometra në jug-perëndim të qytetit të Parmës dhe 91 kilometra në lindje të Xhenovës.

Burimet saktësojnë gjithashtu se thellësia nga e cila erdhi lëkundja e fuqishme ishte 10 kilometra nën tokë.

Ditën e mërkurë, veriu i Italisë u trondit nga një tjetër tërmet me fuqi të përafërt, të cilin ekspertët e institutit të gjeofizikës e cilësuan si një paralajmërim për tërmete të tjera.

Specialistët deklaruan se fenomeni u regjistrua rreth 30 kilometra në thellësi të tokës, gjë që sipas tyre e bëri atë më të ndjeshëm, edhe pse nuk shkaktoi viktima e dëme.

Ndërkohë që tërmeti më i fuqishëm i viteve të fundit në Itali është ai i regjistruar në prill të vitit 2009, në qytetin e Akuilas të rajonit të Abrucos, ku rreth 300 persona humbën jetën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA