Dëmshpërblim për të mbijetuarit e “Concordia”-s

27/01/2012 12:00

Kompania që operonte kryeqëzorin e fundosur “Costa Concordia” i ofroi të premten secilit pasagjer një dëmshpërblim prej 11 mijë eurosh.

Shuma u përcaktua pas disa bisedimesh të gjata midis grupeve të interesit dhe “Costa Crociere”, kompanisë që kishte në pronësinë e saj “superanijen” e mbytur në 13 janar, pasi goditi disa shkëmbinj nënujorë pranë bregdetit të ishullit italian të Xhilios.

Kompania merr përsipër edhe të gjitha shpenzimet shëndetësore për të lënduarit, shpenzimet e udhëtimeve si dhe i rikthen paratë e biletës mbi 3 mijë pasagjerëve të “Concordia”-s. Nuk është përcaktuar ende se cili do të jetë dëmshpërblimi për familjet e viktimave.

Megjithatë, njëri prej grupeve që mbron të drejtat e konsumatorëve i ka kërkuar pasagjerëve që të mos e pranojnë marrëveshjen.

Ky grupim është i vendosur të ngrejë një padi në SHBA, duke kërkuar deri në 160 mijë dollarë dëmshpërblim për çdo pasagjer. Gjyqi mund të zhvendoset në një gjykatë amerikane pasi “Costa Crociere” është në pronësi të grupit të madh turistik amerikan, “US-Carnival”.

Ditën e enjten, një tjetër trup u zbulua në brendësinë e anijes së fundosur përgjysmë, për shkak të ujrave të cekëta. Së bashku me të, numri i viktimave të identifikuara ka shkuar në 16, ndërsa 16 persona të jenë konsiderohen të zhdukur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA